
Kosova dhe Turqia do të përballen të martën mbrëma me fillim nga ora 20:45 në ndeshjen më të rëndësishme në histori të Kombëtares sonë.
Fituesi shkon në Botërorë,derisa humbësi mbetët në shtëpi dhe i duhet të presë katër vite të tjera për të kërkuar këtë rast.
Trajneri i njohur turk, Hikmet Karaman i cili ka përvojë të gjatë në drejtimin e skuadrave turke, Hikmet Karaman ka analizuar për Hurryiet këtë përballje.
66-vjeçari i cili është aktualisht trajner te Igdir, ka lavdëruar Kosovën për ndeshjen ndaj Sllovakisë, por edhe për grupin që kaloi ku ishte me Zvicrën, Suedinë dhe Slloveninë.
“Të dyja skuadrat luajtën një ndeshje të hapur dhe me ritëm të shpejtë, duke rezultuar në një ndeshje me shumë gola. Në atë ndeshje, Kosova na tregoi se kur e ka topin në zotërim, pason mirë, nis kundërsulme të shpejta dhe është efektive me krosime dhe tranzicione. Prandaj, taktikat për ndeshjen kundër Kosovës nuk do të jenë të njëjta. Trajneri i tyre, Franco Foda, është gjithashtu një menaxher jashtëzakonisht i mirë dhe me përvojë”.
“”Në fakt, para kësaj ndeshjeje, duhet të shohim se çfarë bëri Kosova në grupin e saj kualifikues për Kupën e Botës, jo vetëm ndeshjen Sllovaki-Kosovë. Zvicra, Sllovenia dhe Suedia, në grupin e Kosovës, janë ndër ekipet më të mira për sa i përket mbrojtjes zonale, lojës në tranzicion, kundërsulmeve dhe goditjeve të caktuara. Dhe Kosova doli nga ai grup. Kushtojini vëmendje. Ata mundën Suedinë në të dyja ndeshjet, mundën Slloveninë 2-0 jashtë fushe dhe barazuan me Zvicrën, e cila përfundoi në krye të grupit. Pra, një ndeshje e lehtë nuk na pret. Do të luajmë jashtë fushe, tifozët e Kosovës do t’i japin ekipit të tyre kombëtar një mbështetje të jashtëzakonshme dhe njoftimi i Kryeministrit të tyre për bonuset rekord do të jetë një motivim shtesë për ta. Nuk e di se kur do të shkojë ekipi ynë kombëtar atje, por është e rëndësishme që ata ta përjetojnë atmosferën e stadiumit herët. Sepse kjo është një ndeshje e vetme; fituesi shkon në Kupën e Botës”, tha Karaman.
Karaman tutje ka thënë se për ta mposhtur Kosovën, Turqisë i duhet të luajë më mirë se ndaj Rumanisë dhe më mirë se edhe në pjesën e dytë ndaj Spanjës.
“Kosova është një ekip i fortë. Ata luajnë me formacion 5-4-1, por mund të kalojnë në 3-4-2-1 gjatë një ndeshjeje. Ata janë shumë të suksesshëm në rikthimin e topit, mesfushorët e tyre janë të gjithanshëm dhe shumë krijues. Ata janë një ekip që mund të kalojë shumë mirë në tranzicion dhe nën presion. Po, ne kemi yje të rëndësishëm, kryesisht Arda Güler, Kenan Yıldız dhe liderin e ekipit Hakan Çalhanoglu. Por ne po përballemi me një ekip që është shumë efektiv në goditjet standarde dhe në sulm. Trajneri ynë patjetër do të shqyrtojë një taktikë të ndryshme”, vazhdoi tutje Karaman.
“Nuk po e krahasoj këtë me ndeshjen kundër Rumanisë. Kundër Kosovës, duhet të luajmë shumë më mirë sesa kundër Rumanisë, madje edhe më mirë se në pjesën e dytë të barazimit 2-2 kundër Spanjës”, u shpreh trajneri turk.
Ai ka zbuluar se të gjithë e kërkonin Kosovën në Turqi,por pas ndeshjes me Sllovakinë të gjithë thonë pse nuk erdhi Sllovakia.
“Para ndeshjes Sllovaki-Kosovë, të gjithë thoshin ‘Shpresoj që Sllovakia të mos vijë’, por pasi e panë ndeshjen, thonë ‘Do të doja që Sllovakia të kishte ardhur’. Kosova është vërtet një ekip fantastik. Mesfusha dhe mbrojtja jonë qendrore duhet të luajnë shumë mirë. Duhet të luajmë me gabime minimale, përfshirë edhe portierin tonë”.
Krejt në fund ai ka lavdëruar edhe tre futbollistë të Kosovës si kapitenin Vedat Muriqin, mesfushorin Florent Muslija dhe portierin Aro Muric.
“Vedat Muriqi absolutisht nuk duhet ta marrë topin. Ai është tepër efektiv si me krosime ashtu edhe në situata një-me-një, duke mbajtur topin dhe duke pritur që mesfushorët të vijnë tek ai”.
“Mesfushori i tyre numër 8, Florent Musliaja, është një lojtar fantastik. Portieri i tyre, Aro Muric, gjithashtu ka përvojë në Serie A”, përfundoi trajner turk Hikmet Karaman.