Sylvinho: Një debutim shumë i mirë, jam shumë i kënaqur me futbollistët.
Kombëtarja e Shqipërisë regjistroi fitoren e parë në kualifikimet për Kampionatin Evropian “Euro 2024”.
Të përzgjedhurit e Sylvinhos triumfuan sonte ndaj Moldavisë, shkruan Gazeta Express.
Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Air Albania” përfundoi me rezultatin 2:0.
Jasir Asani (52’) dhe Nedim Bajrami (76’) shënuan golat e fitores për Kombëtaren shqiptare.
Pas ndeshjes, Sylvinho pranoi se ishte në ankth dhe se kishte emocione pasi ishte ndeshja e tij e parë në shtëpi.
“Ishte një debutim shumë i mirë, pasi ishte shumë e rëndësishme të fitonim në shtëpi. Isha në ankth, pasi 5 orë para ndeshjes më thanë se stadiumi do të ishte i mbushur plot dhe kisha emocione. Jam shumë i kënaqur nga skuadra, pasi bëri shumë mirë. I kisha paralajmëruar që do të ishte ndeshje e vështirë, por ata bënë shumë mirë në fushë”, tha fillimisht ai për “Supersport”.
“Kjo është një pikënisje dhe është e rëndësishme që t’u japim lojtarëve të kuptojnë se mund të arrijmë një objektiv të madh. Ne jemi një dhe kemi një mundësi të vetme për të arritur objektivin, që është puna në fushë dhe rezultatet. Kjo është mundësia e vetme”, shtoi trajneri brazilian.
Shqipëria pas tre ditësh do të luajë në udhëtim ndaj Ishujve Faroe. Sylvinho u pyet nëse do të jetë formacioni i njëjtë edhe në atë ndeshje, teksa tha se duhet parë fillimisht gjendja e lojtarëve.
“Duhet të kuptojmë nesër se si është gjendja e lojtarëve, pasi sot ishte një ndeshje shumë impenjative. Nuk e di. Duhet të shohim shumë aspekte dhe do të vendosim. Kemi pasur një ndryshim në skemë sot, pasi luajtëm 4-2-3-1”, deklaroi 49-vjeçari.