Jose Mourinho tashmë është gati për afatin kalimtar të verës.
Trajneri i Tottenhamit, Jose Mourinho, nuk pret që skuadra e tij të kompletojë transferime të lojtarëve menjëherë kur të hapet afati kalimtar i verës, mirëpo beson se londinezët po ecin në drejtimin e duhur dhe se do ta mbyllin “merkaton” me skuadër më të mirë.
Sezoni 2019/20 nuk ka shkuar ashtu siç do të shpresonin tifozët e Tottenhamit, pasi një seri e rezultateve të dobëta çoi deri te shkarkimi i ish-trajnerit Mauricio Pochettino në nëntor.
Ish-trajneri i Chelseat, Mourinho, i cili tani mban pozitën e Pochettinos, i ka përmirësuar rezultatet e Tottenhamit, i cili megjithatë ende po lufton për ta arritur kualifikimin në edicionin e ardhshëm të Ligës së Evropës.
Skuadra e Mourinho është në pozitën e shtatë në tabelën e Premierligës tani që ka mbetur vetëm edhe një ndeshje deri në fund të sezonit. Kjo pozitë ia mundëson Tottenhamit kualifikimin në Ligën e Evropës vetëm nëse rivali Arsenal e humb finalen e FA Cup.
Por, trajneri i Tottenhamit është optimist për të ardhmen, veçanërisht tani që afati kalimtar i verës do të hapet së shpejti, javën e ardhshme.
“Do të ishte lajm i mrekullueshëm ta transferonim një lojtar të ri të hënën. Por, mendoj se ajo është vetëm dita hapëse e afatit kalimtar”, ka thënë Mourinho.
“Mendoj se ne po shkojmë në drejtimin e duhur, jemi të qetë, të organizuar, po mendojmë mirë dhe jemi të matur. Mendoj se jemi në drejtimin e duhur”.
“Ne e dimë çfarë mundemi dhe çfarë nuk mundemi të bëjmë. Ne dimë se në çfarë drejtime mund të shkojmë dhe në çfarë jo. Ne duhet të reagojmë. Hap pas hapi, do të përfundojmë skuadër edhe më e mirë dhe më e baraspeshuar. Natyrisht që është e rëndësishme edhe t’i mbajmë lojtarët e mrekullueshëm që i kemi”.