Selektori i Zvicrës, Murat Yakin e ka ngritur në qiell Granit Xhakën.
Trajneri zviceran ndihet krenar me kapitenin e tij, të cilit ia ka konfirmuar këtë privilegj edhe për kualifikimet e Euro 2024, të cilat do të nisin në këtë muaj.
Pas Botërorit të Katarit në shtetin helvetik ishin hedhur dyshime nëse futbollisti kosovar e meritonte të vazhdonte ta mbante shiritin pas veprimit që e bëri pas ndeshjes me Serbinë, kur u shfaq me fanellën “Jashari”.
Sidoqoftë, Yakin insiston se futbollisti i Arsenalit është një lider i lindur dhe një shembull për t’u ndjekur, shkruan Express.
“Jemi 100 për qind prapa dhe në mbështetje të Xhakës. Graniti është kapiteni im, këtu s’ka asnjë dyshim e as diskutim. Ai është një lider i lindur, është një shembull, të cilin e jep brenda dhe jashtë fushës. Këto janë pikërisht ato që i pres nga një kapiten i imi. Jam shumë i lumtur që e kam Granitin në skuadër”, deklaroi Yakin në konferencë për shtyp sot pasi e publikoi listën e të ftuarve për ndeshjet me Bjellorusinë dhe me Izraelin, më 25 dhe 28 mars.
Krahas Xhakës, Yakin i përfshiu në skuadrën e ftuar edhe dy futbollistët tjerë nga Kosova, Xherdan Shaqiri dhe Andi Zeqiri.
Zvicra do të luajë në Novi Sad të Serbisë kundër Bjellorusisë, e cila e zgjodhi këtë vend pasi FIFA ia ka ndaluar të luajë në territorin e saj për shkak se ky vend e mbështet luftën e Rusisë në Ukrainë.