Trajneri që zgjidhte lojtarët sipas horoskopit? Historia e pazakontë e Francës në Botërorin 2006

15:27 | 16 Qershor 2026

Kur Franca mbërriti në finalen e Kupës së Botës 2006, në stol ishte një nga trajnerët më të pazakontë në historinë e futbollit modern – Raymond Domenech.

Edhe sot e kësaj dite, shumëkush e ka të vështirë të kuptojë se si francezi qëndroi në krye të “Les Bleus” nga viti 2004 deri në vitin 2010.

Problemi nuk kishte të bënte vetëm me rezultatet apo menaxhimin e ekipit. Domenech u bë i famshëm për personalitetin e tij kontrovers dhe, mbi të gjitha, për interesimin e jashtëzakonshëm ndaj astrologjisë.

Një nga historitë më të famshme që e shoqëron ende ish-trajnerin francez është pretendimi se ai refuzonte të përfshinte në kombëtare futbollistë të lindur në shenjën e Akrepit.

Botërori 2006 pa asnjë Akrep në përfaqësuese

Para Kupës së Botës në Gjermani, Domenech arriti të bindte legjendën Zinedine Zidane të rikthehej në kombëtare. Pas tij u rikthyen edhe Lilian Thuram dhe Claude Makelele.

Megjithatë, një emër i rëndësishëm mbeti jashtë listës finale: Robert Pires.

Mesfushori kishte zhvilluar një sezon të shkëlqyer me Arsenalin, duke shënuar 11 gola dhe duke dhënë shtatë asistime në 48 ndeshje.

Ai madje kishte ndihmuar “Topçinjtë” të arrinin finalen e Ligës së Kampionëve.

Pavarësisht formës së tij, Pires nuk mori ftesë për Botërorin. Mediat franceze spekuluan se arsyeja lidhej me bindjen e Domenech se futbollistët e lindur në shenjën e Akrepit nuk përshtateshin me ekipin kombëtar.

Fakti interesant është se në skuadrën franceze për Botërorin 2006 nuk gjendej asnjë lojtar i lindur nën këtë shenjë.

Dyshime, thashetheme dhe konflikte

Në atë kohë qarkulluan edhe zëra se Pires kishte pasur një lidhje me partneren e Domenech, gazetaren Estelle Denis. Pretendimet nuk u vërtetuan kurrë.

Një situatë e ngjashme ndodhi edhe me Ludovic Giuly. Mesfushori i Barcelonës mbeti jashtë listës përfundimtare, pavarësisht se trajneri i kishte premtuar vazhdimisht një vend në skuadër.

Sipas Giuly, marrëdhënia me Domenech u ftoh pasi ai kishte pranuar një ftesë për kafe nga Estelle Denis, e cila i kishte dërguar një regjistrim të një emisioni televiziv ku ai kishte qenë i ftuar.

“Domenech më tha se nuk kishte asnjë problem, por më pas nuk më grumbulloi për Kupën e Botës. Kanë kaluar 20 vjet dhe ende nuk e di arsyen e vërtetë”, deklaroi më vonë Giuly.

A ndikonte vërtet astrologjia në vendimet e tij?

Domenech nuk e ka fshehur kurrë interesimin për astrologjinë. Përveç saj, ai studionte edhe grafologjinë, praktikën që pretendon të analizojë karakterin e njeriut përmes shkrimit të dorës.

Trajneri këmbëngulte se astrologjia nuk përdorej për të përzgjedhur lojtarë, por për të kuptuar më mirë personalitetin e tyre.

“Astrologjia më ndihmonte të kuptoja karakterin e njerëzve. Nuk e përdorja për të parashikuar të ardhmen apo për të zgjedhur lojtarë për kombëtaren franceze”, shpjegonte ai.

Megjithatë, deklaratat e tij shpesh ushqenin polemikat. Ai e konsideronte shenjën e Akrepit si problematike, impulsive dhe të vështirë për t’u menaxhuar. Në të kundërt, kishte një vlerësim të veçantë për Luanët.

Madje, në një deklaratë që bëri bujë, Domenech tha:

“Kur kam Luanë në mbrojtje, gjithmonë mbaj një armë gati, sepse e di që në një moment do të duan të tregohen heroikë dhe kjo mund të na kushtojë”.

Në fillim të vitit 2006 ai shkoi edhe më tej:

“Mos përdorni kurrë më shumë se një Akrep në fushë, sepse dy Akrepë do ta shkatërrojnë njëri-tjetrin”.

Ish-lojtarët e konfirmuan obsesionin e tij

Në vitin 2025, ish-mbrojtësi Philippe Mexes deklaroi se Domenech besonte seriozisht në astrologji.

“Nuk më ka pëlqyer kurrë. Dashi nuk luan me Akrepin, Akrepi nuk luan me Demin… Kjo nuk është futboll, është teatër. Mendoj se ai vërtet beson në këto gjëra dhe kjo është e çuditshme”, tha Mexes.

Edhe Robert Pires ironizoi më vonë ish-trajnerin e tij:

“Sa i përket astrologjisë, ai ishte i fiksuar pas saj. Thoshte se nuk mund të kishte një Akrep në ekip, ndërsa unë jam Akrep. Ndoshta kjo ishte arsyeja perfekte për të më lënë jashtë”.

Një mister që nuk u zgjidh kurrë

Edhe sot nuk ekziston një provë përfundimtare që astrologjia ka ndikuar drejtpërdrejt në përzgjedhjet e Raymond Domenech.

Megjithatë, fakti mbetet interesant: Franca e vitit 2006 arriti deri në finalen e Kupës së Botës, ndërsa në skuadër nuk kishte asnjë futbollist të lindur në shenjën e Akrepit.

Komento: