Transferimi i De Ligt tek Barcelona po vështirësohet, ja ҫfarë po ndodh

13:23 | 05 Maj 2019

Duket se transferimi i Matthijs De Ligt tek Barcelona po bëhet mjaftë i vështirë.

Barcelona dukej sikur kishte përfunduar gjithçka rreth Matthijs De Ligt dhe pritej vetëm nënshkrimi me lojtarin.

Raportimet e medieve spanjolle bënin të ditur se qendër mbrojtësi i Ajax Amsterdam dëshiron një kalim në ‘Camp Nou’ duke përjashtuar nga gara Juventusin dhe skuadrat tjera që interesoheshin për të.

Transferimi i mëhershëm i Frenkie de Jong dhe marrëveshja me Ajax për lojtarët e akademisë dukej sikur vetëm thjeshtësonin punën e kampionëve të Spanjës për 19 vjeçarin.

Por, raportimet e fundit të ‘Marca’ bëjnë të ditur se ka një problem të madh në mes të Barcës dhe kapitenit të Ajax. Ata duhet ta ‘heqin qafe’ agjentin Mino Raiola, i cili po pengon gjithçka.

Se e ardhmja e lojtarit nuk do të jetë tek Ajax e ka bërë të ditur edhe trajneri i skuadrës, Erik Ten Hag, i cili ka përmendur Barcelonën dhe Bayern Munich si destinacionet e mundshme të të riut holandez.

Mbetet të shihet nëse Raiola do të ‘neutralizohet’ dhe nëse Barcelona do të nënshkruaj me lojtarin gjatë verës.

Komento: