Transformimi i gjelbër i ndërmarrjeve private, nënshkruhet marrëveshja milionëshe Kosovë-Zvicër

13:35 | 11 Qershor 2026
transformimi-i-gjelber-i-ndermarrjeve-private,-nenshkruhet-marreveshja-milioneshe-kosove-zvicer

Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka njoftuar se, bashkë me ambasadorin e Zvicrës në Kosovë, Jürg Sprecher, nënshkruan marrëveshjen pesëvjeçare për projektin “Transformimi i Gjelbër i Ndërmarrjeve Private në Kosovë (GPEK)”.

Përmes kësaj marrëveshjeje ndërmjet MINTI-t dhe Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), me bashkëfinancim nga SIDA (Agjencia për Zhvillim Ndërkombëtar e Suedisë), është paraparë të mbështetet tranzicioni i gjelbër i sektorit privat në Kosovë, gjatë periudhës 2026–2031.

Në njoftimin e saj, Kusari-Lila thotë:

Me një buxhet të përgjithshëm prej 8.78 milionë frangash zvicerane, projekti synon të rrisë konkurrueshmërinë dhe qëndrueshmërinë klimatike të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në Kosovë, duke nxitur përdorimin e teknologjive më të pastra, rritjen e efikasitetit të burimeve dhe adoptimin e praktikave të qëndrueshme të biznesit.

Transformimi i gjelbër i industrisë dhe ekonomisë është në përputhje të plotë me planet strategjike të Ministrisë, duke kontribuar në krijimin e mundësive të reja inovative për bizneset, fuqizimin e kategorive të nën-përfaqësuara dhe rritjen e rolit e kapaciteteve të sektorit privat në Kosovë.

Përmes këtij bashkëpunimi do të promovohen investimet e gjelbra, inovacioni dhe krijimi i vendeve të punës gjithëpërfshirëse, duke kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit dhe forcimin e ekonomisë së gjelbër të Republikës së Kosovës.

Falënderoj Qeverinë e Zvicrës, SDC-në, SIDA-n dhe të gjithë partnerët për mbështetjen e vazhdueshme dhe besimin në potencialin zhvillimor e ekonomik të Kosovës.

Komento: