Koronavirusi po vazhdon të jetë shqetësim për të gjithë.
Bota është në prag të një pandemie nga koronavirusi i ri. Italia është një nga vendet më të goditur nga sëmundja.
Gazeta ‘Corriere della Sera’ shkruan se tre pacientë janë kuruar nga sëmundja në Romë. Dy prej tyre ishin një çift kinez. Mjekët kanë përdorur një ilaç eksperimental të prodhuar në SHBA me autorizim të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Ilaçi quhet Remdesivir dhe është studiuar për të luftuar virusin e Ebolas. Gazeta shkruan se duket se ky antiviral funksionon edhe kundër koronavirusit.
Ilaçi po përdoret edhe tek pacientët në Lombardi. Nicola Petrosillo, drejtor i spitalit Spallenzani tha se është një terapi mjaft premtuese, pa efekte të forta anësore.
Ilaçi nuk është në farmaci pasi është në testim. Edhe drejtuesit e OBSH mendojnë se ky është ilaçi më efektiv kundër koronavirusit. Kompania që e ka prodhuar njohu një rritje të aksioneve pas këtij lajmi.