Aksident shumë i rëndë ka ndodhur në Suharekë.
Mbrëmjen e së shtunës në hyrje të Suharekës ka ndodhur një vetaksident si pasojë e të cilit tre persona kanë mbetur të lënduar.
Gjendja e dy prej të lënduarve vazhdon të jetë e rëndë, shkruan Gazeta Express
Të lënduarit në aksidentin në Suharekë janë duke u trajtuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Mjeku kujdestar, Naser Syla, ka treguar se gjendja e të lënduarve është e rëndë.
“Janë ende në gjendje të rëndë. Njëri prej tyre është në emergjencë ndërsa tjetri në mjekim intensiv. Po vazhdon mjekimi I tyre nga ana e mjekëve”, ka treguar Syla.
Lidhur me këtë aksident kanë dhënë informacione nga Policia e Kosovës, duke treguar se shkaku i aksidentit ka qenë shpejtësia e madhe.
Si pasojë e këtij aksidenti makina ka rënë poshtë rrugës nga një lartësi prej 2 metrash.
“Me datë 14.09.2019 rreth orës 22:50 deri te aksidenti kishte ardhur deri sa vozitësi me veturën VË Golf 4, ngjyrë e kaltër me targa vendore ishte duke lëvizur në rrugën Duhël-Suharekë dhe me të arritur në hyrje të Suharekës, duke mos përshtatur shpejtësinë e lëvizjes ka humbur kontrollin e lëvizjes, ku ana e djathtë e veturës del jashtë rrugës në të djathtë ku e godet mbrojtësin nga metali të urës dhe përplaset me anën e djathtë të automjetit duke rënë në një lartësi rreth 2 metra poshtë” ka konfirmuar për Gazetën Express togeri Shaban Osmanollaj.
Pas aksidentit menjëherë në vendin e ngjarjes ka dalë ambulanca duke i dërguar kështu të lënduarit fillimisht në qendrën emergjente në Prizren dhe më pas për në QKUK në Prishtinë.
“Si pasoë e aksidentit vozitësi dhe dy pasagjerët me autoambulancë dërgohen në qendrën emergjente të Prizrenit dhe sipas mjekut kujdestar kanë pësuar lëndime të rënda trupore dhe dy nga të lënduarit dërgohen në QKUK në Prishtinë për tretman të mëtejmë kurse njeri ndalet për tretman mjekësor në spitalin e Prizrenit.”, ka shtuar Osmanollaj.
Në fund ai ka treguar se me hetimet e rastit po merren edhe Prokuroria.