Kosova hap dyert për tregti të lirë me Turqinë.
Marrëveshja për Tregti të Lirë në mes Kosovës dhe Turqisë, e ratifikuar këto ditë nga autoritetet e Kosovës, sipas përfaqësuesve të bizneseve mund të ndikojë dukshëm në, siç thuhet, drejtpeshimin e ekonomive ndërmjet dy vendeve.
Për efektet e marrëveshjes flasin edhe përfaqësues të bizneseve turke në Kosovë, të cilët e konsiderojnë të favorshme për të ekonominë e të dy shteteve.
Marrëveshja tregtare me Turqinë, parashikon heqjen e tarifave doganore për një numër të madh të produkteve, kryesisht industriale. Marrëveshja për Tregti të Lirë mes Kosovës dhe Turqisë ishte nënshkruar në vitin 2013 nga ish-ministrja e Tregtisë dhe Industrisë e Kosovës, Mimoza Kusari-Lila dhe ish-ministri turk i Ekonomisë, Zafer Gjaglajan.
Turqia kishte aprovuar marrëveshjen me Kosovën qysh në vitin 2015. Por, në Prishtinë, ajo u dekretua nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi pak ditë më parë, apo gjashtë vjet pas nënshkrimit.
Kjo marrëveshje do të jetë në fuqi për kohë të pacaktuar, por palët nënshkruese (Turqia dhe Kosova), janë pajtuar që marrëveshja në fjalë të ndërpritet në rast të hyrjes së njërës palë në Bashkimin Evropian.
Drejtori i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, thotë për Radion Evropa e Lirë se Turqia e cila konsiderohet një ekonomi me fuqi të madhe, mund t’i vë në pozitë të pafavorshme prodhuesit vendorë.
“Bizneset prodhuese e kanë parë gjithmonë me shqetësim këtë marrëveshje dhe i janë druajtur ditës kur marrëveshja do të bëhet e plotfuqishme, kjo për shkak se Turqia është një shtet me industri shumë të fuqishme dhe si e tillë rritë presionin konkurrues në tregun e Kosovës dhe shqetësimet e bizneseve prodhuese të Kosovës janë të arsyeshme. Pavarësisht që ka benefite prej marrëveshjeve për tregti të lirë, në rrethana të tjera kjo do të mund të shfrytëzohej më mirë nga ana e shtetit të Kosovës dhe më mirë nga ana e prodhuesve kosovarë”, thotë Zeka.
Ndryshe, nga përfaqësuesit e bizneseve në Kosovë flasin përfaqësuesit e bizneseve turke. Esin Muzbeg, sekretar i përgjithshëm në Odën tregtare Kosovare – Turke, thotë për Radion Evropa e Lirë se marrëveshja ka efekte pozitive për të dy palët në marrëdhëniet tregtare dhe në investime.
“Kjo marrëveshje është formuluar në mënyrë asimetrike, produktet që prodhohen në Kosovë ose kanë perspektiva për prodhim do të mbrohen deri në 10 vjet, do të thotë në Kosovë lirimi i tatimit doganor për produktet turke do të bëhet gradualisht brenda 10 vjetësh, ndërsa lirimi i tatimit doganor për produktet kosovare do të bëhet menjëherë pas fuqizimit të marrëveshjes. Me këtë marrëveshje hapet një treg prej afër 2 milionë banorë për produktet turke, ndërsa në anën tjetër hapet një treg prej 80 milionë banorë për produktet kosovare. Kjo do të nxisë edhe investimet ku vlera e shtuar e prodhimit do të mbetet në Kosovë”, thotë ai.
Sipas tij, Turqia me këtë marrëveshje i ka siguruar një avantazh Kosovës, por që siç thotë ai, Kosova duhet të mbështet prodhimtarinë dhe të shfrytëzojë mundësitë e eksportit.
Sipas të dhënave zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, eksportet e Turqisë në Kosovë në vitin 2018, kapin vlerën prej mbi 300 milionë euro, derisa eksportet e Kosovës në Turqi nuk janë më shumë se rreth 10 milionë euro.
Këto të dhëna tregojnë një disbalancë tregtar të dy shteteve.
Arian Zeka nga OEAK thotë se me një industri jo të fuqishme prodhuese, Kosova nuk arrin të përfitojë shumë nga marrëveshjet. Sipas tij, Kosova nuk ka përfituar edhe nga Marrëveshja për Tregti të Lirë me vendet e Ballkanit Perëndimor, e njohur si CEFTA.
“Nëse e analizojmë funksionimin e marrëveshjeve tjera për tregti të lirë si CEFTA, por edhe aftësinë tonë për të konkurruar në tregun evropian, atëherë e shohim që edhe kjo marrëveshja me Turqinë vetëm sa po rritë presioni mbi prodhuesit kosovarë dhe nuk e shoh të mundur përmirësimin e bilancit tregtar, por përkundrazi. Një dilemë është momenti kur kjo marrëveshje po ratifikohet, çfarë i ka paraprirë këtij momenti, pse jo në rrethana tjera, pse jo në kohën kur është nënshkruar thjesht janë disa pyetje që ngrenë dilemë në shoqërinë tonë”, thotë Zeka.
Ndërkohë ekspert të çështjeve ekonomike, Marrëveshjen për Tregtinë e Lirë me Turqinë e shohin në dy dimensione nga këndvështrimi i konsumatorëve dhe prodhuesve vendorë.
Naim Gashi, njohës i çështjeve ekonomike, thotë për Radion Evropa e Lirë se nga këndvështrimi i konsumatorëve i bie se produktet që vijnë nga Turqia do të jenë 10 për qind më të lira në tregun e Kosovës, dhe nga këndvështrimi i prodhuesve çmimet e produkteve të Turqisë do të ulen dhe do të jenë më konkurruese.
“Me një mobilizim të prodhuesve vendorë nuk do të ketë efekte të mëdha te prodhimi vendor, për faktin se kostoja e produkteve nga Turqia në Kosovës është mjaft e lartë dhe produktet turke bëhen më pak konkurrente me prodhuesit vendorë. Të marrim një prodhues të specave apo domateve që transporton mallra nga Turqia në Kosovë, (ai) duhet të paguajë një kosto të transporti dhe koston e ftohjes gjatë verës dhe ngrohjes gjatë dimrit, pritjet në pikat kufitare dhe kjo ndikon në rritjen e kostos së produkteve që vijnë nga Turqia dhe nuk mund të jenë konkurrente me prodhuesit vendorë”, thotë Gashi.
Gashi thekson se kjo marrëveshje nuk do t’i dëmtojë prodhuesit vendorë dhe, sipas tij, do të përfitojnë konsumatorët për faktin se produktet që vijnë nga Turqia do të jenë më të lira.
“Prodhuesit vendorë duhet të binden që Kosova edhe me Kushtetutë është shtet demokratik ku dominon tregtia e lirë dhe nuk duhet të bazohen në rritjen dhe zhvillimin e tyre me masa proteksioniste që do t’i ndërmerr shteti ndaj tyre. Prodhuesit vendorë duhet të përmirësojnë kualitetin e tyre dhe të ulin çmimet për të qenë konkurrent me prodhimet që vijnë nga jashtë vendit”, thotë Gashi.
Në Kosovë janë të regjistruar mbi 1000 kompani turke, por aktive sipas Odës Ekonomike Kosovare – Turke janë rreth 400 biznese.
Turqia është një prej shteteve me prezencën më të madhe të investimeve direkte në Kosovë. Investimet turke janë të orientuara në sektorin bankar, edukim, shëndetësi, prodhimtari, energji, ndërtimtari, tregti, hoteleri, transport dhe fusha tjera.
Prania e kompanive turke në Kosovë kishte nisur nga infrastruktura rrugore. Me ndërtimin e autostradave në Kosovë. Po ashtu konzorciumi turk Limak -Çalik privatizoi rrjetin kosovar të shpërndarjes dhe furnizimit me energji elektrike.
Një konzorcium tjetër ai turko-francez, Limak-Aeroport de Lyon pati marrë me koncesion për njëzet vjet, Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.