Devollëve u ecën mirë tregtia me Serbinë, pavarësishtë se Kosova ka vënë tarifën 100 për qind ndaj Serbisë.
Gazeta serbe “Novosti” shkruan se Kosova “e ka mbyllur tregun” për prodhimet e Serbisë, derisa Serbia po blen kafe nga Kosova.
Gazeta shkruan se “derisa në Prishtinë digjen biskotat “Plazma”, kafja “Prince”, të cilën e prodhon “Devolli Corporation” nga Peja, gjendet nëpër raftet e shitoreve “Aman”, me çmim të cilin asnjë prodhues vendor nuk mund ta përballojë, sepse një qese prej 200 gramëve kushton vetëm 140 dinarë (1.19 euro).
“Tregtia me Kosovën gati është ndërprerë pas futjes së taksave. Dëmi për prodhuesit serb matet me dhjetëra milionë euro në muaj. Sipas disa vlerësimeve , taksat prej 100 për qind i kushtojnë Serbisë 42 milionë në muaj. Për pesë muaj, prejse ato janë futur, humbja tejkalon 200 milionë euro. Ekonomistët serb kanë llogaritur se bruto prodhimi vendor (GDP) i Serbisë sivjet do të zvogëlohet deri në 0,7 për qind nëse nuk hiqen taksat”, pretendon gazeta serbe.
Gjithashtu theksohet se “në kafen e cila vjen nga Peja, nuk ka asnjë shenjë të UNMIK-ut, apo “Kosovo*” dhe se nëpër qese shkruan se prodhues është “Devolli Corporation”, ku është theksuar adresa e prodhuesit “Zahir Pajaziti”, i cili është ish komandant i UÇK-së, dhe se afër adresës figuron Peja, Kosovë”.
Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka pretenduar se nuk ka asnjë kontratë për lobim për nevojat e Serbisë, dhe se qeveri serbe është në negociata për angazhimin e një zyre të avokatëve për të nisur procedurën e arbitrazhit për shkak të shkeljes së marrëveshjes së kontratës CEFTA nga ana e Prishtinës. /Insajderi