Gjiganti metalurgjik, Trepça, në Kosovë rrezikon t’i ndërpresë punimet si pasojë e rritjes së çmimit të energjisë elektrike, paralajmërojnë udhëheqës të ndërmarrjes.
Kosova është prekur nga kjo krizë globale, që është shkaktuar fillimisht nga pandemia e koronavirusit dhe është përkeqësuar me nisjen e luftës ruse në Ukrainë.
“Në shtator, faturën e energjisë e kemi pasur 917 mijë euro. Në kushte normale, para kësaj krize me energji, ishte deri në 90 mijë euro”, thotë Behxhet Vinarci, drejtor i minierës me flotacion, Trepça – Stantërg, e cila ndodhet në rajonin e Mitrovicës.
Trepça është shoqëri aksionare: 80 për qind e aksioneve janë të Qeverisë së Kosovës, kurse 20 për qind janë të punonjësve të kësaj ndërmarrjeje.
Produktet kryesore që prodhohen atje, janë koncentratet e plumbit dhe zinkut me përmbajtje të argjendit, arit dhe elementeve të tjera.
Miniera e Stantërgut e ndërmarrjes Trepça është vendburimi kryesor i nxjerrjes së xehes. Në vit, prej aty nxirren mbi 180 mijë tonë xehe. Nga miniera tjetër, ajo e Artanës, nxirren rreth 40 mijë tonë xehe në vit. Këto janë dy nga minierat më të mëdha funksionale të ndërmarrjes Trepça.
Tregu, ku aktualisht operon Trepça, është ai evropian. Koncentrati i plumbit dhe ai i zinkut eksportohen në Evropë përmes tenderëve publikë ndërkombëtarë.
Operatori i fundit që ka fituar tenderin në vitin 2021, është një kompani nga Londra.
Të hyrat nga shitja e koncentrateve të plumbit dhe zinkut në vitin 2021 kanë qenë mbi 13 milionë euro.
Gjatë vitit 2022, sipas planit të biznesit, është planifikuar të nxirren mbi 200 mijë tonë xehe dhe të hyrat të arrijnë në 18 milionë euro.
Por, këto plane vështirë se mund të realizohen, për shkak të rritjes së çmimit të energjisë.
Në muajin shtator, çmimi i energjisë elektrike në bursën hungareze HUPX, nga ku importon Kosova, ka qenë rreth 430 euro për megavat, krahasuar me rreth 150 euro sa ka kushtuar në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
“Nëse nuk ndërmerret diçka, bashkë me Qeverinë, ne nuk mund të operojmë”, paralajmëron Vinarci.
Ministria e Ekonomisë e Kosovës nuk i është përgjigjur interesimit të Radios Evropa e Lirë për këtë çështje.
Nga ndërmarrja “Trepça” thonë se kanë propozuar një plan, i cili, sipas Vinarcit, mund ta zgjidhë problemin me energji elektrike.
“Kemi sipërfaqe që kemi konstatuar se mund të jepen në shfrytëzim për vendosjen e paneleve solare, ku mund të prodhohet energjia [elektrike]”, thotë Vinarci.
Ai nuk jep më shumë detaje rreth këtij plani, por thotë se është i realizueshëm.
Trepça, në dekadat e fundit të shekullit të kaluar, llogaritej si një prej ndërmarrjeve më të mëdha jo vetëm në Kosovë, por edhe në territorin e atëhershëm të Jugosllavisë. Cilësohej si shtylla kryesore industriale e ekonomisë së Kosovës.
Sipas të dhënave të institucioneve të Kosovës, nga viti 1945 deri në periudhën para vitit 1990, nga minierat e Trepçës nxirreshin rreth 600 mijë tonë xehe në vit.
Rënia e prodhimit ka nisur në vitet ’90 kur regjimi i atëhershëm i Serbisë ka vendosur masa të dhunshme në Kosovë, duke mbyllur gati të gjitha ndërmarrjet dhe institucionet në vend.
Trepçën e kanë përcjellë probleme edhe pas përfundimit të luftës në Kosovë, më 1999.
Ndërmarrja nuk ka arritur asnjëherë të vihet në funksion të zhvillimit ekonomik të vendit.
Makineritë e vjetruara mbi 50 vjet dhe mungesa e mirëmbajtjes janë probleme të vazhdueshme.
Për ta rikthyer ndërmarrjen në funksion më të favorshëm të prodhimit kërkohen investime në makineri moderne dhe produktive, çka, deri më tash, nuk ka pasur.
Në vitet ‘80, në kompleksin metalurgjik Trepça kanë punuar mbi 20.000 punëtorë. Viteve të fundit, ndërmarrja nuk numëron më shumë se 1.300 punëtorë.
Mosha e vjetër e fuqisë punëtore në miniera dhe flotacione, po ashtu, shihet si problem.
Deri para dy vjetësh, mosha mesatare e të punësuarve në Trepçë ka qenë 55 vjeç, ndërsa aktualisht – pas disa punësimeve të reja dhe pensionimit të disa punëtorëve – mosha mesatare ka rënë në 40 vjeç.
Punëtorët në minierë thonë se puna është e rrezikshme dhe e vështirë.
“Punoj që 11 vjet në minierë. Ajri në minierë është i rëndë, është rrezik të punosh nën tokë”, thotë Nexhat Kuçi, 40 vjeç, mirëmbajtës i vagonetave në minierën e Stantërgut.
“Mund të hysh, por mund të mos dalësh nga aty, nëse ka ndonjë shembje gjatë punës”, thotë Ibrahim Deliu, i cili tash e dhjetë vjet punon në minierën e Stantërgut.
Në fund të shtatorit, për shkak të një defekti me energji elektrike në minierën e Stantërgut, mbi 120 punëtorë kanë mbetur të ngujuar për një kohë në thellësi mbi 800 metra nën tokë.
“Për më shumë se një orë mbetëm brenda. Kjo nuk duhet të ndodhë asnjëherë, rrezikon të mbetesh pa ajër kur ndalet energjia elektrike, pasi nuk punojnë më ventilatorët. Është rrezik”, thotë Ferat Brahimi, 62 vjeç, i cili punon në minierë për më shumë se 40 vjet.
Përfaqësues të sindikatës së punëtorëve të Trepçës kërkojnë vazhdimisht kushte më të mira për punëtorët.
Kërkesë e tyre është që minatorëve t’u njihet përvoja e punës më 1989-1999 – periudhë e masave të dhunshme – pastaj siguria shëndetësore në punë, vlera e pensionit të jetë 70 për qind e pagës, e të tjera.
Pagat e punëtorëve në Trepçë sillen nga 600 deri në 800 euro, varësisht përvojës dhe përgatitjes profesionale. Por, asnjë prej punëtorëve nuk ka sigurim shëndetësor apo jetësor.
“Deri më sot, asgjë nuk është bërë për këto kërkesat tona. Qeveritë nuk janë të interesuara shumë për minatorët e Trepçës”, thotë Gani Osmani, përfaqësues i Sindikatës së Punëtorëve të Trepçës.
Kosova asnjëherë nuk ka bërë një analizë të detajuar të vlerës reale të kombinatit metalurgjik, Trepça.
Drejtori i Trepçës në vitet ’90, Burhan Kavaja, ka thënë në një intervistë të mëhershme për Radion Evropa e Lirë se një studim i bërë në vitin 1992 për të gjitha resurset natyrore të Kosovës, ka gjetur se potenciali material i Trepçës mund të jetë 85 miliardë dollarë amerikanë.
Qeveria aktuale e Kosovës ka marrë detyrën në pranverë të vitit të kaluar dhe në programin e saj katërvjeçar ka të paraparë përmirësimin e performancës së sektorit minerar.
Aty thuhet se Qeveria do të angazhohet për shfrytëzimin optimal të burimeve minerare, do të avancojë kornizën ligjore, si dhe do të analizojë gjendjen e Trepçës dhe minierave të tjera në Kosovë.
Të gjitha intervenimet në këtë sektor, sipas Qeverisë, do të mbështeten në alternativa të arsyeshme ekonomike, teknologjike, sociale e mjedisore.
Në shkurt të këtij viti, Qeveria e Kosovës ka emëruar Bordin Mbikëqyrës të Trepçës, kurse nga buxheti i shtetit për vitin 2022 ka ndarë 40 milionë euro për të financuar investimet në ndërmarrjet publike: Trepçë dhe Telekom.
Radio Evropa e Lirë ka kërkuar edhe nga Ministria e Ekonomisë të dhëna rreth realizimit të planit qeverisës, por nuk ka marrë përgjigje.