Aksidentet e trafikut vetëm sa shkojnë e shtohen në vendin tonë.
Njëmbëdhjetë persona janë lënduar nga tri aksidente të ndara trafiku.
Në aksidentet të cilat raportohet të kenë ndodhur në intervalin kohor prej gjysmë ore, kanë qenë të përfshira tetë vetura.
Rreth orës 19:00, në fshatin Pestovë, dy vetura kanë pësuar aksident, nga i cili janë lënduar 6 persona.
“Një aksident trafiku me të lënduar është raportuar rreth orës 19:00 aksidenti ka ndodhur në rrugën nacionale Mitrovicë segmenti rrugor në fshatin Pestovë. Në aksident ishin të përfshira dy vetura, si pasojë e aksidenti lëndime trupore kanë pësuar gjashtë persona të cilët kanë kërkuar tretman mjekësor në spitalin e Vushtrrisë. Nga të dhënat e para shkaktar i aksidentit konsiderohet të jetë mos mbajtja e distancës”, konfirmoi Avni Zaiti nga Policia e Kosovës.
Në po të njëjtën orë, nga një aksident i cili ka ndodhur në rrugën Prishtinë-Gjilan, është lënduar një person.
Flora Ahmeti, zëdhënëse në Policinë e Kosovës bëri të ditura detajet nga ky aksident dhe nga tjetri që ka ndodhur gjysmë ore më vonë në rrugën Magure-Lipjan.
“Rreth orës 19:00 në rrugën Prishtinë- Gjilan ka ndodhur një aksident trafiku. Të përfshira në aksident kanë qenë tri vetura. Si pasojë e aksidentit lëndime trupore ka marrë një person. I njëjti është dërguar për tretman mjekësor. Me rastin po merren njësiti i trafikut”.
“Rreth orës 19:30, në rrugën Magure-Lipjan ka ndodhur një aksident trafiku në mes tri automjeteve. Si pasojë e aksidentit janë lënduar katër persona. Të lënduarit janë dërguar për tretman dhe me rastin po merret njësiti i trafikut”.