Tri ditët e pushtimit të Ukrainës, vazhdon rezistenca e Kievit

17:00 | 26 February 2022

Rusia po synon të i marrë nën kontroll disa nga qytetet e Ukrainës.

Gjatë tërë natës është raportuar për luftime në Kiev në ditën e tretë të përpjekjeve të forcave ruse për të marrë territorin dhe qytetet kryesore ukrainase.

Gazeta Online “Reporteri.net” ju sjell një përmbledhje të zhvillimeve që kanë karakterizuar ditën e tretë të luftimeve mes Rusisë e Ukrainës:

Deri më tani forcat ukrainase kanë arritur t’u rezistojnë me sukses përpjekjeve të ushtrisë ruse për të vënë nën kontroll disa nga qytet kryesore që Rusia ka shënjestruar.

Në kryeqytetin Kiev, pati sulme me raketa gjatë natës, por forcat ukrainase mbajtën nën kontroll qytetin.

Beteja për kontrollin e kryeqytetit të Ukrainës ka nisur me goditjen e një ndërtese me apartamente nga një raketë në orët e para të mëngjesit të sotëm. Nga ky sulm nuk u raportua për të lënduar.

Presidenti ukrainas, Volodmyr Zelensky tha sot se ushtria e vendit të tij kishte zmbrapsur me sukses forcat ruse që përparonin në Kiev dhe se pas një nate luftimesh brutale kryeqyteti vazhdon të jetë ende në duart e tyre.

Në një video-mesazh drejtuar kombit të rrethuar, Zelensky akuzoi Kremlinin për përpjekje për të marrë Kievin, për të përmbysur qeverinë dhe për të instaluar një regjim ‘kukull’ ‘si në Donetsk’, një nga dy rajonet separatiste që Vladimir Putin i njohu zyrtarisht përpara se të niste pushtimin.
Zelensky u zotua të qëndrojë dhe të luftojë në një video të pasionuar për popullin e tij.

“Lufta po zhvillohet në shumë qytete dhe zona të shtetit tonë. Por ne e dimë se po mbrojmë vendin, tokën, të ardhmen e fëmijëve tanë. Kievi dhe qytetet kryesore përreth kryeqytetit kontrollohen nga ushtria jonë”, u shpreh Zelensky.

Një shtetrrethim nga ora 17:00 pasdite deri në 08:00 të mëngjesit në Kiev është tani në fuqi në të gjithë kryeqytetin për të siguruar mbrojtjen më efektive të qytetit dhe sigurinë e njerëzve të tij.

Kryebashkiaku i Kievit Vitaly Klitschko tha se të gjithë civilët në rrugë gjatë shtetrrethimit do të konsiderohen anëtarë të grupeve të sabotimit dhe zbulimit të armikut.
Forcat ruse ndodhen vetëm 30 kilometra larg Kievit, sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Britanisë

Ministria e Mbrojtjes së Britanisë së Madhe ka dhënë këtë sot një përditësim mbi situatën në Ukrainë.

Sipas njoftimit që u dha trupat ruse po vazhdojnë të lëvizin drejt Kievit, me shumicën e ushtrisë së tyre dhe se ndodheshin 30 km (19 milje) nga qendra e Kievit.
Ministria e Mbrojtjes shtoi se Rusia ende nuk ka fituar kontrollin e hapësirës ajrore mbi Ukrainë.

Aty u tha se Ukraina “vazhdon të bëjë rezistencë të vendosur në të gjithë vendin”.

Por ministri i Forcave të Armatosura të Britanisë, James Heappey tha sot se nuk ka asnjë arsye për të menduar se një ‘fund i lumtur është afë” pasi ai paralajmëroi se konflikti mund të zgjasë për muaj të tërë.

Qytetet kryesor që Rusia ka shënjestruar për të pushtuar

Nëpërmjet një harte të publikuar nga BBC shihen zonat se ku janë të përqendruara luftimet.

Në qytetin lindor të Kharkiv, qyteti i dytë i Ukrainës, zyrtarët thonë se trupat kanë luftuar kundër një sulmi rus. Ata kanë lëshuar një alarm granatimi, duke paralajmëruar qytetarët që të mos lëvizin nëpër qytet.

Ka pasur edhe përleshje pranë qytetit jugor të Odesës, njoftoi Presidenti Zelensky.

Rusia thotë se ka pushtuar qytetin juglindor të Melitopolit, por Britania e Madhe ka hedhur dyshime mbi pretendimin

Presidenti ukrainas tha se qytetet perëndimore dhe qendrore, përfshirë Lviv, ishin shënjestruar me sulme me raketa.

Përmes një deklarate të Zëdhënësit të Kremlinit, Dmitriy Peskov, Rusia arsyetoi humbjet e mëdha në betejat e para në Kiev duke thënë se “trupat ruse filluan të avancojnë sërish në Ukrainë të shtunën pasi presidenti Vladimir Putin e ndërpreu ofensivën një ditë më parë në pritje të bisedimeve me Kievin që nuk ndodhën kurrë”.

Si Putin, ashtu edhe homologu i tij ukrainas Volodymyr Zelenskiy folën për bisedime të mundshme të premten, por Ukraina tha se luftimet me trupat pushtuese ruse vazhduan të premten mbrëma dhe të shtunën, transmeton Reporteri.net.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitriy Peskov tha se pas urdhrit të Putinit, trupat ruse luftuan vetëm me “grupe nacionalistësh” në krahasim me forcat e rregullta ukrainase.

Përjashtimi nga Këshilli i Evropës, Moska paralajmëroi mbylljen e ambasadave

Ish-Presidenti rus dhe zëvendëspresidenti aktual i Këshillit të Sigurimit të Rusisë, Dmitry Medvedev tha se Rusia mund të ndërpresë të gjitha marrëdhëniet diplomatike me Perëndimin.

Në një deklaratë në rrjetin social Telegram, Medvedev tha se ishte koha për të vënë nën çelës ambasadat dhe se Moska do të vazhdojë agresionin e saj kundër Ukrainës.

Ai tha se pezullimi i anëtarësimit të Rusisë në Këshillin e Evropës mund të nënkuptojë se Rusia mund të kthejë dënimin me vdekje.

“Kjo është një mundësi e mirë për të rindërtuar një sërë institucionesh të rëndësishme për të parandaluar krime veçanërisht të rënda në vend, siç është dënimi me vdekje për kriminelët më të rrezikshëm, i cili, meqë ra fjala, po përdoret në mënyrë aktive në SHBA dhe Kinë”, thuhet në deklaratë.

198 ukrainas raportohen të vrarë në ditën e tretë të luftimeve, mes tyre edhe fëmijë

Ministria e Shëndetësisë e Ukrainës ka konfirmuar se numri të vdekurve deri më tani në pushtimin rus të Ukrainës është 198 persona.

Ndër të vdekurit raportohet janë edhe tre fëmijë. Ministri ukrainas po ashtu tha se 1,115 njerëz u plagosën, duke përfshirë 33 fëmijë.

Reuters shkruan se ishte e paqartë nëse ai i referohej vetëm viktimave civile.

Tri shtetet baltike mbyllin hapësirën ajrore për aeroplanët e Rusisë

Vendet baltike, Letonia, Lituania dhe Estonia, u pajtuan në parim për mbylljen e hapësirës së tyre ajrore për avionët rusë, tha ministri lituanez i Transportit, Marius Skuodis.

“Plani ynë është që ta hedhim hapin njëkohësisht”, shkroi Skuodis në Facebook.

Ky vendim vjen pas Bullgarisë, Polonisë dhe Republikës Çeke të cilat kanë ndaluar fluturimet ruse mbi territoret e tyre.

Më herët, Rusia ka ndaluar të gjitha kompanitë britanike mbi hapësirën e saj ajrore, pasi Londra i ka ndaluar fluturimet në Britani të transportuesit rus, Aeroflot

SHBA autorizon edhe 350 milionë dollarë ndihmë shtesë ushtarake për Ukrainën

Sekretari amerikan, Antony Blinken, ka autorizuar Departamentin amerikan të Mbrojtjes që të ofrojë edhe 350 milionë dollarë shtesë asistencë ushtarake për Ukrainën.

Blinken ka shkruar se asistenca është për ta ndihmuar Ukrainën ta mbrojë veten nga lufta e pajustifikuar e Rusisë.

“Sot autorizova Departamentin e Mbrojtjes për të ofruar 350 milionë dollarë shtesë në ndihmë të menjëhershme ushtarake për Ukrainën për të ndihmuar në mbrojtjen e saj nga lufta e paprovokuar dhe e pajustifikuar e Rusisë. Të bashkuar me Ukrainën”, ka shkruar Blinken.

Turqia bllokon kalimin e anijeve luftarake ruse në Detin e Zi, sipas Zelenskyt

Presidenti i Ukrainës, Vlodomyr Zelensky, pas një bisede telefonike që ka zhvilluar me presidentin e Turqisë, Reccep Tayip Erdogan ka lënë të kuptohet se Erdogan ka marrë vendim që të mos lejojë kalimin e anijeve luftarake ruse në Detin e Zi dhe se i ka ofruar Ukrainës ndihmë ushtarake dhe humanitare.

“Këto janë shumë të rëndësishme për ne sot. Populli i Ukrainës nuk do t’ua harrojë këtë”, ka shkruar Zelensky.

Mirëpo prestigjiozja britanike “The Guardian” shkroi se shteti turk ka deklaruar se ende nuk ka marrë një vendim në lidhje me mbylljen e ngushticave të saj midis Mesdheut dhe Detit të Zi për kalimin e anije luftarake ruse pavarësisht një pretendimi të mëparshëm nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy.

Sipas The Guardian një zyrtar turk tha se ende nuk është marrë një vendim për të bllokuar anijet luftarake ruse në Detin e Zi. Nëse diçka e tillë do të ndodhte, do të shkelte konventën e shteteve në Detin e Zi, që anijet luftarake mund të kthehen në porte gjatë luftës.

Forca tokësore, detare e ajrore të ushtrisë britanike arrijnë në kufirin lindor të NATO-s

Forcat tokësore, detare dhe ajrore britanike kanë arritur në lindje për të përforcuar NATO-n në përgjigje të invazionit rus të Ukrainës.

Anijet e forcave mbretërore detare, trupat britanike dhe luftëtarët e forcave mbretërore ajrore janë duke arritur me dërgesa të reja në Evropën Lindore për ta fuqizuar frontin lindor të NATO-s.

Luftanija “HMS Trent” është në lindje të Mesdheut, duke kryer ushtrime të NATO-s me helikopterët “Merlin” dhe aeroplanin patrullues detar, “P8 Poseidon”. Atyre do t’u bashkohen së shpejti luftanijet “HMS Diamond” dhe “Type 45”, të cilat e nisën lundrimin nga Portsmouth-i dje, ka njoftuar ministria britanike e Mbrojtjes, transmeton Gazeta Express.

Tanket “Challenger 2” dhe automjetet e blinduara të grupit mbretëror uellsian të betejave kanë arritur në Estoni nga Gjermania, ndërsa pajisje shtesë dhe rreth 1.000 trupa do të arrijnë në ditët e ardhshme. Kjo do të çojë në dyfishim të pranisë së Mbretërisë së Bashkuar në Estoni, ku Britania e Madhe udhëheq një grup betejash të NATO-s si pjesë e Pranisë së përforcuar Përpara të Aleancës (së NATO-s)

Aeroplanët luftarakë “Typhoon” tashmë i kanë përfunduar misionet e tyre të para të patrullimit në ajror nëpër rajon, ndërsa katër aeroplanë shtesë janë në bazën “Akrotiri” në Qipro. Aeroplanët “Typhoon”, që fluturojnë nga bazat në Qipro dhe Britani të Madhe, tash janë duke e patrulluar hapësirën ajrore të NATO-s mbi Rumani dhe Poloni bashkë me aleatët e NATO-s me përkrahjen e aeroplanit “Voyager” për mbushje me karburante në ajër.

Ushtarët rusë të kapur nga ukrainasit thonë se ishin gënjyer se Ukraina ka sulmuar Rusinë

Në mediat në Ukrainë janë publikuar disa video të ushtarëve të kapur rusë, shumica në moshë të re të cilët thonë se janë gënjyer se Ukraina ka sulmuar Rusinë.

Një nga ta pohon se oficerët rusë i siguruan ata që “Ukraina sulmoi Federatën Ruse”.

Komento: