Tri polet e skenës politike dhe koalicionet qeverisëse në Kosovë

13:18 | 15 Janar 2020

Në dritën e raporteve të deritashme LDK-PDK, në njërën anë, dhe të raporteve të tyre me LVV-në, në anën tjetër, është pak ose aspak e besueshme që PDK-ja dhe LDK-ja, të identifikuara si BARTËSE të çlirimit, të lirisë dhe të pavarësisë së Kosovës, ta HONEPSIN si KRYEMINISTËR të Kosovës Kurtin e LVV-së, të rritur e të ngritur me OPOZITARIMIN RADIKAL të tij, kundrejt tyre.

Perspektiva e koalicionit eventual LVV-LDK, pas zvarritjes së stërzgjatur, me gjasë edhe me planin e PDK-së, dhe pas plotësimit të kërkesave e kushteve të LDK-së, është e errët dhe do të ishte FITORE E PIRROS për Kurtin dhe LVV-në.
***
Skenën politike të Kosovës, aktualisht, e dominojnë tri parti kryesore politike, pothuaj, të barabarta, të pozicionura shumë larg njëra-tjetrës, në tri pole të spektrit politik të saj: Partia Demokratike e Kosovës (PDK), njëri pol; Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) poli tjetër; dhe Lëvizja Vetëvendosje (LVV), poli i tretë.

Poli i parë, PDK-ja, nëse kihet parasysh aktiviteti i hershëm i njerëzve kryesorë të saj, është parti e parë në historinë më të re të Kosovës. Bazuar në metodat e veprimit dhe në mjetet e përdorimit -LUFTA E ARMATOSUR kundër Serbisë- për realizimin e qëllimit të tyre, njerëzit e PDK-së janë identifikuar si RADIKALISTË, madje shpesh, edhe EKSTREMISTË. Pas luftës, PDK-ja, të pakën nga njerëit e saj dhe përkrahësit e tyre, u identifikua me BARTËSEN e çlirimit, të lirisë dhe të pavarësisë së Kosovës. (Ky fakt është shumë i rëndësishëm në raportet e saj me partitë e tjera dhe sidomos me LVV-në).

Poli i dytë, LDK-ja është themeluar dhjetë vjet para çlirimit të Kosovës. Qëllimi i deklaruar i saj, – pavarësia e Kosovës, ishte i njëjtë me qëllimin e njerëzve të PDK-së, por metodat e veprimit dhe mjetet e realizimit të tij -LUFTA POLITIKE DHE DIALOGU me Serbinë-, ishin të buta. LDK-ja, prandaj, u identifikua si parti e MODERUAR. Pas luftës, edhe LDK-ja, të paktën nga njerëzit e saj dhe përkrahësit e tyre, u identifikua me BARTËSEN kryesore të çlirimit, të lirisë dhe të pavarësisë së Kosovës. (Ky fakt, si në rastin e PDK-së, është shumë i rëndësishëm në raportet e saj me partitë e tjera dhe sidomos me LVV-në).

Megjithë dallimet e tyre të mëdha dhe “luftën” shumëvjeçare midis tyre, si rivalet kryesore në skenën politike të Kosovës, PDK-ja dhe LDK-ja kanë BASHKËQEVERISUR në harmoni të plotë në tri, nga gjashtë legjislatura e Kuvendit të Kosovës. As dy legjislaturat e tjera, kur PDK-ja dhe LDK-ja kanë bashkëqeverisur me partnerë të tjerë, LDK-ja me AAK-në dhe PDK-ja me AKR-në, pra, ndaras njëra-tjetrës, – nuk janë karakterizuar me dallime dhe kundërshtime të mëdha ndërmjet tyre.

Poli i tretë, LVV-ja u themelua pas përfundimit të luftës dhe u rrit shpejt si OPOZITË e fortë e PDK-së dhe LDK-së, njëkohësisht, kur ato bashkëqeverisnin, por edhe kur qeverisnin ndaras njëra-tjetrës. Për keqqeverisje, për korrupsionin, për nepotizmin dhe për krime të tjera të pasluftës, LVV-ja i ka AKUZUAR rëndë dhe njëlloj PDK-në dhe LDK-në. Vendimet e mëdha të këtyre të fundit, të dëmshme për Kosovën -Demarkacioni me Malin e Zi dhe Decentralizimi-, LVV-ja i ka kundërshtuar me metoda dhe mjete të forta, përfshirë edhe hedhjen e gazit lotësjellës në Kuvendin e Kosovës. Ajo, prandaj, në raportet e saj me PDK-në dhe LDK-në, u identifikua si parti “RADIKALE”.

Opozitarizmi i fortë dhe i pakompromis i LVV-së, kundrejt qeverisjeve PDK-LDK, megjithëqë rivate me njëra-tjetrën, i ka afruar aq shumë këto dy të fundit dhe i ka acaruar aq shumë raportet e tyre me LVV-në. Zyrtarë të lartë të PDK-së e kanë quajtur “TERRORISTE” dhe “ISLAMISTE” LVV-në, ndërsa një deputete e LDK-së kërkoi që Kuvendi i Kosovës ta shpallte “TERRORISTE” dhe të “JASHTLIGHSHME” LVV-në.

Rrjedhimisht, në dritën e raporteve të deritashme LDK-PDK, në njërën anë, dhe të raporteve të tyre me LVV-në, në anën tjetër, është pak ose aspak e besueshme që PDK-ja dhe LDK-ja, të identifikuara si BARTËSE të çlirimit, të lirisë dhe të pavarësisë së Kosovës, ta HONEPSIN si KRYEMINISTËR të Kosovës Kurtin e LVV-së, të rritur e të ngritur me OPOZITARIMIN RADIKAL të tij, kundrejt tyre.

Perspektiva e koalicionit eventual LVV-LDK, pas zvarritjes së stërzgjatur, me gjasë edhe me planin e PDK-së, dhe pas plotësimit të kërkesave e kushteve të LDK-së, është e errët dhe do të ishte FITORE E PIRROS për Kurtin dhe LVV-në.

Komento: