Kosova është tronditur në tri ditët e fundit me vrasjet të cilat kanë ndodhur, ku kanë humbur jetën katër persona.
Në lidhje me këtë ka reaguar edhe deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu e cila ka thënë se Kosova si një vend që ka kaluar përmes ferrit, tani po përballet me një tjetër plagë që kërcënon jetë njerëzish, që kërcënon paqen dhe stabilitetin shoqëror.
“Kaq shumë armë të disponueshme?!!!Si vihet deri të posedimi i armëve? Ku blihen? Kush i shet? Sa kontrollohen?”, ka pyetur Musliu.
Ajo përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se shteti duhet parë mundësinë për një aksion konkret i cili duhet të përfshijë një kontroll të rreptë të armëve, forcimin e ligjit për armëmbajtje pa leje.
“Duhet një angazhim më serioz nga ana e institucioneve të Kosovës. Mblidhni armët. Ne nuk mund të lejojmë që frika dhe dhuna të bëhen pjesë e jetës sonë të përditshme. Autoritetet duhet të veprojnë me urgjencë sepse çdo jetë është e çmuar”, ka shkruar Musliu në Facebook.