Trinjakët e porsalindur kanë dalur pozitivë për koronavirus.
Trinjakët e porsalindur në Meksikë kanë dalë pozitivë për koronavirus, sipas autoriteteve shëndetësore lokale.
Ekspertët mjekësorë janë duke hulumtuar nëse foshnjat e kanë marrë virusin përmes placentës së nënës gjatë shtatzënisë.
Dy nga foshnjat – një djalë dhe një vajzë – janë në gjendje stabile në një spital të rajonit San Luis Potosi.
Megjithatë, një djalë tjetër është duke marrë trajtim për shkak të problemeve me frymëmarrjen.
Një zëdhënës i Komisionit për Siguri në Shëndetësi tha se përhapja e infeksionit në lindje të shumëfishta nuk është vërejtur askund në botë dhe prandaj rasti do të hetohet.
Një numër shumë i vogël i foshnjave të porsalindura kanë dalë pozitive për koronavirus pas lindjes, por zyrtarët shëndetësorë thonë se ata nuk besojnë që trinjakët janë infektuar në këtë mënyrë.
Sekretarja shtetërore e Shëndetësisë, Monica Liliana Ranger Martinez, tha: “Do të ishte e pamundshme që ata të infektohen në momentin e lindjes.”
Megjithatë, prindërit e tyre do të testohen, sepse autoritetet thonë se nëna dhe babai i trinjakëve kanë mundur të jenë të infektuar pa simptoma.