
24 vjet më parë kishte nisur gjyqi ndaj ish-presidentit të Serbisë, Sllobodan Millosheviq, i cili njihet si kasapi i Ballkanit.
KosovaPress sjell një intervistë me hulumtuesen e Tribunalit të Hagës për ish-Jugosllavi, Nevenka Tromp, pikërisht nga objekti i atëhershëm i njohur si Gjykata e Hagës.
Tromp kujton ditën e 2 shkurtit kur nisi ky proces, duke përmendur turmën e gazetarëve përreth objektit.
“Ishte 24 vjet më parë kur gjyqi ndaj Millosheviqit filloi në këtë ndërtesë pas meje. Nëse do të shikonit pamjet arkivore, i gjithë ky shesh këtu ishte plot i mbushur me antena satelitore të të gjitha mediave botërore. Nuk mund të kaloje nga turma e gazetarëve – ishte lajmi kryesor në gjithë botën. Dhe tani, 24 vjet më pas, kemi një situatë të ngjashme me Dhomat e Specializuara të Kosovës, ku liderët e Kosovës, udhëheqësit e kohës së luftës, kundërshtarë të regjimit të Millosheviqit, po mbajnë fjalët e tyre përmbyllëse në një proces penal kundër tyre”, tregon ajo.
Millosheviq gjykohej për krime të luftës, krime kundër njerëzimit, për gjenocid në Kroaci, në Bosnje e Kosovë.
Autorja e librit “Gjykimi i papërfunduar i Sllobodan Millosheviqit” flet për KosovaPress për rëndësinë që kishte ky proces për Kosovën në veçanti.
Tromp thekson se gjatë kohës sa ishte Millosheviq në pushtet ndodhën krime masive e mizori të mëdha.
“Para së gjithash, Millosheviq ishte pothuajse 10 vjet president, fillimisht i Serbisë dhe më pas i Republikës Federale të Jugosllavisë. Gjatë kësaj kohe pati tre luftëra radhazi ku ndodhën krime masive dhe mizori të mëdha. Pas vitit 1995, kur Millosheviqi ishte nje nga arkitektët e Marrëveshjes se Dejtonit për Bosnjën, ai pati nje dhanc ta rehabilitonte vetën, sepse i kujtojmë fotografitë në Paris nga dhjetori 1995, ku ai po shtrëngonte duart me Alija Izetbegoviqin -president i Bosnjes, Franjo Tugjmanin president i Kroacisë dhe Bil Clintonin. Dhe disi ai nuk arriti ta mbante vetën në anen e mirë te historisë. Ai nuk mund ta linte Kosovën të lirë dhe duke hyrë në luftën e Kosovës, ai u cementua në historinë botërore si një figurë negative, si një njeri që abuzoi me pushtetin politik dhe ishte përgjegjës për mizori masive. Fillimisht u padit për Kosovën sepse, pas Dejtonit, ai mendoi: jam i sigurt, askush nuk do të më padisë për Kroacinë dhe Bosnjë-Hercegovinën. Por sapo humbi pushtetin në tetor 2000 dhe u transferua në Hagë vetëm mbi bazën e aktakuzës për Kosovën, në qershor 2001, prokuroria e zgjeroi aktakuzën me dy të tjera: një për krimet në Kroaci nga 1991 deri në 1995 dhe një për krimet në Bosnjë-Hercegovinë, përfshirë gjenocidin.”
Ky proces, Tromp shton se kishte rëndësi te veçantelajm i madh, meqë krimi i gjenocidit për herë të parë po gjykohej në nivel individual.
“Kjo ishte lajmi i madh, sepse krimi i gjenocidit për herë të parë po gjykohej në nivel individual në lidhje me luftërat jugosllave, por gjithashtu për herë të parë u ngrit edhe një padi për gjenocid kundër një shteti, kundër Serbisë, në gjykatën më të lartë të OKB-së këtu në Hagë. Përmes aktakuzës së Millosheviqit, bota kuptoi se ekziston një mënyrë për t’u përballur me krimin e gjenocidit si në nivel individual, në nivel presidenti, ashtu edhe në nivel shteti. Pse nuk kishte akuza për gjenocid për Kosovën në aktakuzë, kjo mbeti e pazgjidhur, sepse vdekja e tij dhe zhvillimet e mëvonshme të së drejtës penale ndërprenë çdo hetim të mëtejshëm për prova të mundshme të gjenocidit në Kosovë në vitet 1998–1999”, thekson Tromp për KosovaPress.
Gjyqi ndaj Millosheviqit filloi nga 12 shkurti i vitit 2002 e zgjati deri në mars te vitit 2006, por nuk arriti të ketë aktgjykim përfundimtar për shkak se ai vdiq në qeli.
Sikur te përfundohet ky gjyq dhe të kishte vendim kundër Millosheviqit, Tromp thotë se do të ishte e vështirë që sot të gjykohen ish-liderët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Nga pikëpamja ligjore, do të kishte qenë shumë e rëndësishme të kishte një vendim kundër tij. Një përgjegjësi e tij personale e konfirmuar qartë në gjuhën e ligjit do të implikonte shumë më tepër edhe udhëheqjen ushtarake serbe në kriminalitet. Jam e sigurt se do të kishte qenë shumë më e vështirë, 20 vjet më vonë, që Dhomat e Specializuara të Kosovës të gjykonin udhëheqësit e UÇK-së për krimet në Kosovë. Do të dukej shumë më jomorale dhe jashtë realitetit krahasuar me atë që do të përmbante një vendim kundër Millosheviqit si kreu i shtetit. Unë nuk kam asnjë dyshim se nga 66 pikat e aktakuzës, ndoshta nuk do të ishte shpallur fajtor për të gjitha, por për shumicën po. Dhe aktakuza për Kosovën ishte shumë e rëndësishme, sepse do të forconte narrativën e përgjegjësisë asimetrike në luftëra — që do të thotë se asnjë palë tjetër, si individ apo si shtet, nuk kishte rol dhe përgjegjësi më të madhe për shpërbërjen e dhunshme dhe kryerjen e krimeve sesa Millosheviqi, udhëheqja politike, ushtarake dhe policore serbe, dhe në fund edhe vetë Serbia si shtet”, përfundon ajo.