Trump e mbyll përkohësisht qendrën më të madhe kulturore që drejtohet nga Richard Grenell

19:26 | 05 Shkurt 2026
trump-e-mbyll-perkohesisht-qendren-me-te-madhe-kulturore-qe-drejtohet-nga-richard-grenell

“John F. Kennedy Center”, një nga institucionet më të njohura kulturore të Shteteve të Bashkuara dhe i cili është udhëhequr nga Richard Grenell, do të mbyllet për dy vite për shkak të një projekti të madh rindërtimi dhe rinovimi.

Lajmin e ka bërë të ditur presidenti amerikan, Donald Trump, duke theksuar se ky hap do ta kthejë qendrën në një “institucion botëror të artit, muzikës dhe argëtimit”. Projekti pritet të fillojë më 4 korrik 2026 dhe vlerësohet të kushtojë rreth 200 milionë dollarë, raporton thehill.

Sipas liderit amerikan, rindërtimi do të përfshijë përmirësimin e strukturave ekzistuese, përdorimin e materialeve të ruajtura si çeliku dhe mermeri, si dhe modernizimin e pjesëve të tjera të ndërtesës. Ai shtoi se mbyllja e plotë do të lehtësojë punimet dhe do të përshpejtojë procesin krahasuar me rindërtimin gjatë operacioneve normale.

Vendimi ka nxitur reagime të forta nga artistë, shoqata kulturore dhe familja Kennedy. Disa artistë kanë anuluar shfaqjet e tyre, ndërsa kritikuar është edhe fakti se kongresi nuk u konsultua paraprakisht.

Ligjvënës dhe ekspertë të kulturës kanë shprehur shqetësim se mbyllja mund të ketë pasoja të mëdha për programet artistike dhe trashëgiminë historike të qendrës. Pavarësisht kritikave, Trump ka mbrojtur vendimin, duke theksuar se Qendra Kennedy do të dalë nga projekti e përmirësuar dhe me standarde ndërkombëtare, duke ofruar një hapësirë më të madhe dhe më moderne për publikun dhe artistët. /Telegrafi/

Komento: