
Donald Trump ka mohuar pretendimet se SHBA-ja dhe Irani nuk po zhvillojnë më bisedime paqeje, duke thënë se dy vendet kanë qenë në komunikim “vazhdimisht”, përfshirë edhe sot.
Raportet që thonë se bisedimet janë ndalur disa ditë më parë janë “të rreme dhe të pasakta”, shkroi presidenti amerikan në Truth Social.
Ai tha se SHBA dhe Irani kanë komunikuar në secilën prej katër ditëve të fundit dhe se procesi po vazhdon.
“Lajmet e rreme që thonë se Republika Islamike e Iranit dhe SHBA-ja kanë ndalur komunikimin disa ditë më parë janë të rreme dhe të pasakta. Bisedimet mes nesh kanë vazhduar pa ndërprerje, përfshirë katër ditë më parë, tre ditë më parë, dy ditë më parë, një ditë më parë dhe sot. Ku do të çojnë, askush nuk e di, por siç i thashë Iranit ‘Është koha, në një mënyrë apo tjetër, të bëni një marrëveshje. Keni 47 vjet që e bëni këtë dhe kjo nuk mund të vazhdojë më’”, thuhet në deklaratën e tij.
Më herët, agjencia shtetërore iraniane e lajmeve Fars raportoi se shkëmbimi i mesazheve midis Teheranit dhe Uashingtonit për arritjen e një mirëkuptimi në lidhje me luftën ishte ndërprerë disa ditë më parë.
Po ashtu, pati raportime nga media lokale se Irani kishte ndalur kontaktet me ndërmjetësuesit pas kërcënimeve të Izraelit për bombardimin e Bejrutit.
Ngjarjet vijnë pasi Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio deklaroi se Irani mund të diskutojë për herë të parë disa aspekte të programit të tij bërthamor në bisedimet që priten në ditët në vijim.