Trump uron Thaçin për 11 vjetorin e Pavarësisë, rithekson rëndësinë e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

Trump uron Thaçin për 11 vjetorin e Pavarësisë, rithekson rëndësinë e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë

15:16 | 15 Shkurt 2019

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, përmes një letre dërguar Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka përgëzuar mbarë popullin e Kosovës për përvjetorin e njëmbëdhjetë të pavarësisë.

Presidenti Trump i ka inkurajuar qytetarët e Kosovës që të fokusohen në ruajtjen e parimeve demokratike, në forcimin e sundimit të ligjit dhe në avancimin e mundësive ekonomike dhe tregtare.

“Shtetet e Bashkuara i mbesin partner të gjithë atyre të cilët ndajnë këto vlera dhe janë të gatshëm të kryejnë punë të rënda të nevojshme për suksesin e tanishëm dhe të ardhshëm të Kosovës”, thuhet në letrën e presidentit Trump.

Kjo është letra e plotë e Presidentit të SHBA-së dërguar Presidentit të Kosovës:

I nderuari Z. President: Në emër të popullit amerikan, e përgëzoj mbarë popullin e Kosovës për përvjetorin e njëmbëdhjetë të pavarësisë së shtetit tuaj. Marrëdhëniet tona të fuqishme bilaterale janë të rrënjosura në vizionin e përbashkët të një Kosove dhe Ballkani Perëndimor stabil, të sigurt dhe të begatë. Tani kur Kosova po fillon dekadën e saj të dytë si një vend i pavarur dhe sovran, unë i inkurajoj qytetarët e Kosovës që të fokusohen në ruajtjen e parimeve demokratike, në forcimin e sundimit të ligjit dhe në avancimin e mundësive ekonomike dhe tregtare. Më e rëndësishmja, Kosova dhe Serbia duhet t’i normalizojnë marrëdhëniet, që është esenciale për integrimin perëndimor të Kosovës. Ne e shohim njohjen e dyanshme si themel të marrëdhënieve të normalizuara dhe si bazë për çfarëdo zgjidhje gjithëpërfshirëse. Shtetet e Bashkuara i mbesin partner të gjithë atyre të cilët ndajnë këto vlera dhe janë të gatshëm të kryejnë punë të rënda të nevojshme për suksesin e tanishëm dhe të ardhshëm të Kosovës. Sinqerisht, Donald J.Trump.

Komento: