Trumpi dhe Putini takohen në Kinë

13:37 | 18 Nëntor 2026

Trump, Putin dhe Xi Jinping janë shfaqur së bashku në samitin e APEC-ut në Kinë, ku tre liderët janë fotografuar për herë të parë në të njëjtin ambient, në prag të takimit trepalësh të paralajmëruar për të enjten.

Pamjet e publikuara tregojnë presidentin amerikan, Donald Trump, dhe atë rus, Vladimir Putin, duke shtrënguar duart me njëri-tjetrin. Ky është kontakti i parë i këtij lloji mes tyre që nga takimi në Alaskë, në gusht të vitit të kaluar.

Më pas, Trump, Putin dhe presidenti kinez, Xi Jinping, pozuan për një fotografi të përbashkët me udhëheqësit e tjerë pjesëmarrës në samitin e APEC-ut.

Vëmendje tërhoqi edhe mënyra se si Xi i vendosi dy liderët pranë vetes: Putinin e ftoi të ulej pranë bashkëshortes së tij, ndërsa Trumpit i kërkoi të qëndronte afër tij, raportojnë mediat e huaja.

Trump dhe Putin kanë mbërritur në Qendrën Ndërkombëtare të Komunikimit në Shenzhen, ku po zhvillohen aktivitetet e samitit.

Ndërkohë, presidenti rus e ka cilësuar takimin trepalësh si një mundësi për forcimin e partneritetit dhe për një shkëmbim konstruktiv të pikëpamjeve.

Megjithatë, në të njëjtën kohë, Rusia ka vazhduar sulmet ndaj Ukrainës. Sipas Forcave Ajrore ukrainase, gjatë natës Rusia ka lëshuar më shumë se 140 dronë sulmues drejt territorit ukrainas. Lufta në Ukrainë pritet të jetë një nga çështjet kryesore që mund të trajtohen në takimin mes tre liderëve.

Trump ka mbërritur në Shenzhen pas një pritjeje të veçantë nga presidenti kinez, Xi Jinping, i cili e priti personalisht në pistën e aeroportit. Ky konsiderohet një nderim i rrallë për një lider të huaj, pasi Xi zakonisht nuk i pret personalisht krerët e shteteve pas zbarkimit të tyre.

Pritja shihet edhe si një gjest reciprok, pasi Trump e kishte pritur Xi-në në pistën e aeroportit gjatë vizitës së tij shtetërore në Shtetet e Bashkuara, në shtator.

Trump dhe Xi u përshëndetën edhe me një përqafim, përpara se të kalonin pranë gardës së nderit të ushtarëve kinezë dhe turmës që valëviste flamujt e të dyja vendeve.

Në agjendën e takimit pritet të përfshihen çështje të rëndësishme ndërkombëtare, përfshirë armët bërthamore, luftën në Iran dhe inteligjencën artificiale. Megjithatë, zhvillimet në Ukrainë pritet t’i japin takimit një rëndësi të veçantë, në një kohë kur lufta mes Moskës dhe Kievit vazhdon.

Komento: