Trupat jokushtetues për dialogun mbahen gjallë nga Qeveria

08:29 | 13 Korrik 2019

Qeveria i mban gjallë trupat jokushtetues për dialogun.

Qeveria është duke i mbajtur gjallë trupat jokushtetues për dialogun me Serbinë. Është duke e bërë këtë nëpërmjet mbajtjes në fuqi të një vendimi, me të cilin mbulohen pagat dhe shpenzimet e tjera, qoftë të Delegacionit shtetëror, qoftë të Zyrës së koordinatorit administrativ të dialogut, e cila ishte ngritur që të punojë për llogari të këtij delegacioni, shkruan sot Koha Ditore.

Më 24 dhjetor të vitit të shkuar kur Qeveria e kishte aprovuar Projektligjin për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e Delegacionit, kishe nxjerrë edhe vendimin për mbështetje financiare të këtij trupi jashtinstitucional.

“Ndahen mjete financiare në vlerë 300.000.00 (treqind mijë) euro sipas kërkesës së Delegacionit shtetëror të Republikës së Kosovës në procesin e dialogut me Republikën e Serbisë”, thuhet në pikën e parë të vendimit. “Mjetet nga pika 1. e këtij vendimi ndahen nga Shpenzimet e paparashikuara… dhe barten në Zyrën e kryeministrit, nën programin e kabinetit të kryeministrit me kod 10700 në kategorinë e shpenzimeve – Mallrat dhe Shërbimet”.

Dokumenti obligon Ministrinë e Financave dhe Zyrën e kryeministrit për zbatimin e vendimit. Kësisoj, ai është duke u zbatuar ende, ani se ka më shumë se dy javë prej kur Gjykata Kushtetuese ka publikuar një Aktgjykim, sipas të cilit është jokushtetues Projektligji për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e Delegacionit, i cili ishte miratuar në Kuvend, pas sponsorizimit nga Qeveria.

Komento: