Kryeministri Albin Kurti ka publikuar pamje nga tubimi me mërgatën në Oslo të Norvegjisë që u mbajtë mbrëmë, ku ishte e pranishme edhe Kryediplomatja Donika Gërvalla. Kurti dhe Gërvalla i kanë shpeshtuar tubimet me diasporën, tash kur kanë mbetur pak javë para zgjedhjeve që do të mbahen në Kosovë, duke përdorur kështu ambasadat e konsullatat për fushatë.
Kurti ka thënë se mërgata ka qenë gjithmonë ura që e lidh Kosovën me vendet ku ata jetojnë e punojnë, duke shtuar se po kujdesen që të jenë ura që i shton lidhjet e mërgatës me Kosovën, raporton Express.
“E ne po kujdesemi që të jemi ura që i shton lidhjet e mërgatës me vendit tonë. Sinergji, që e forcon bashkëpunimin tonë por edhe më e rëndësishmja, kontribuon në zhvillimin dhe progresin e vendit. Bashkë me zëvendëskryeministren Gërvalla ishim të nderuar nga mikpritja e bashkatdhetarëve tanë në Oslo të Norvegjisë”, ka shkruar Kurti.
Të dielën, Kurti do të qëndrojë në Frankfurt, e ku sipas njoftimit të Konsullatës së Kosovës në Frankfurt në takim do të diskutohet për çështjet që ndërlidhen me mërgatën duke përfshirë organizimin kulturor, mësimin në gjuhën shqipe, regjistrimin e mërgatës, bashkëpunimin ekonomik dhe investimet në Kosovë.