Ndryshojnë rregullat për udhëtimet drejt Turqisë.
Duke filluar nga 28 dhjetori, kushdo që udhëton me avion për në Turqi do i duhet të ketë me vete një test PCR apo tampon negativ për COVID-19, të bërë brenda 72 orëve të fundit. E njëjta gjë dhe për persona që udhëtojnë në rrugë tokësore, por për ta masat nisin nga 30 dhjetori. Këto masa do të qëndrojnë në fuqi deri më 1 mars 2021.
Nëse udhëtarët nuk kanë testin negativ, atëherë duhet t’i nënshtrohen masës së karantinës sapo të arrijnë në destinacion.
Udhëtarët që arrijnë në Turqi nga Mbretëria e Bashkuar, Danimarka dhe Afrika Jugore apo që kanë qenë në këto vende në 10 ditët e fundit, duhet të kenë testin negativ dhe t’i nënshtrohen karantinës për të paktën shtatë ditë, derisa të bëhet testi i dytë.
Turqia është një prej vendeve me numrin më të madh të të infektuarve me koronavirus në gjithë botën, me një mesatare javore prej më shumë se 20,000 rasteve.
Sipas të dhënave zyrtare, numri total të i vdekurve në këtë shtet si pasojë e sëmundjes që shkakton koronavirusi COVID-19 , ka shkuar në 19,371.