Turqia thotë se Ukraina dhe Rusia janë pranë arritjes së një marrëveshje për çështjet kritike

19:21 | 20 March 2022

Ukraina dhe Rusia disa herë janë ulur të fasin.

Ukraina dhe Rusia janë pranë arritjes së një marrëveshje për çështjet kritike.

Këtë e tha ministri i Jashtëm turk, Mevlut Çavusoglu, i cili shpreson për një armëpushim nëse palët nuk tërhiqen nga përparimi i arritur deri më tani.

Ankaraja ndërmjetësoi një takim mes ministrave të Jashtëm, Dmytro Kuleba, dhe Sergei Lavrov më herët gjatë muajit, por diskutimet nuk dhanë ndonjë rezultat konkret.

Megjithatë, Çavusoglu tha për të përditshmen turke “Hurriyet” se ka pasur “afrim të pozicioneve të palëve për çështje të rëndësishme”.

Ndërkaq, zëdhënësi i Presidencës turke, Ibrahim Kalin, pohoi për televizionin “Al Jazeera”, se Kievi dhe Moska kanë përafruar qëndrimet në katër çështje kyçe. Ai përmendi kërkesat ruse për Ukrainën që janë: heqja dorë nga ambiciet për anëtarësim në NATO, çmilitarizimi, atë që Rusia e ka quajtur “denazifikim”, dhe mbrojtjen e gjuhës ruse në Ukrainë.

Ukraina dhe Perëndimi kanë hedhur poshtë referencat ruse për “neonazistë” kur i referohet lidershipit ukrainas të zgjedhur në mënyrë demokratike. Kalin tha se një marrëveshje e përhershme armëpushimi mund të arrihet vetëm në një takim midis Putinit dhe presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Por, sipas tij, Putin mendon se pozicionet në “çështjet strategjike” për Krimenë dhe Donbasin nuk janë aq të përafruara sa të mbahet një takim.

Komento: