U akuzua se i dha tender vëllait të tij prej 250 mijë euro, flet ministri Çeku

21:49 | 10 Korrik 2024
u-akuzua-se-i-dha-tender-vellait-te-tij-prej-250-mije-euro,-flet-ministri-ceku

Ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku ka folur sonte në Contex të ATV për akuzat ndaj tij se i ka dhënë tender në vlerë prej 250 mijë euro, e ku përfshihej edhe vëllai i këtij të fundit.

Çeku, thotë se ka parë një denoncim të një qytetari në Facebook, dhe me të parë postimin e ka marrë atë postim duke e printuar dhe e ka dërguar në Policinë e Kosovës dhe në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit.

‘’Doli si një status në Facebook nga një qytetar ku tha se ministri ia ka dhënë vëllait 250 mijë euro. Kjo është hajni, korrupsion etj dhe ia kishte bashkëngjitur disa fotografi, aty ishte fotografia e vëllait tim dhe një tjetër dokument dhe prita një veprim të dytë, sepse akuza ishte shumë direkte, por nuk kishte reagim të dytë dhe atë status e mora e printova dhe e dërgova në Polici sepse mendova se ai denoncim është për Polici, për hetim’’ thotë ai, përcjellë FrontOnline.

Ministri Çeku, thotë se është pyetur se përse nuk po reagon pas këtyre akuzave, por që sipas tij ka qenë banalitet të reagonte për to.

‘’Më thanë pse nuk po reagon publikisht, por nuk ka absurditet më të madh se sa me dal dhe me thënë se ja kam dhënë vëllait 250 mijë euro, është banalitet në vete, prandaj ia dorëzova një kopje Policisë dhe një kopje tjetër Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, sepse vëllai, konflikti i interesit’’ thekson ai.

Ai ka treguar se këtë reagim të qytetarit e ka dërguar në Polici dhe se është duke pritur raport nga institucionet për këtë akuzë të bërë ndaj tij.

‘’Statusin e printova dhe unë i thash Policisë se ky është një denoncim publik për korrupsion, për hajni sepse unë besoj se nuk duhet të mbetët vetëm si status në Facebook sepse motivi i denoncuesit është në mbrojtje të së mirës publike, prandaj kërkoj nga ju që brenda mundësive të juaja ta trajtoni këtë denoncim. Pra nuk do të flas më shumë dhe as nuk do ta personalizoj, por do të kërkoj raport nga institucionet’’ deklaroj Çeku në ATV.

Po ashtu, ministri Çeku thotë se ka pritur të merr ndonjë thirrje nga organet kompetente pas akuzave ndaj tij, por kjo nuk ka ndodhur.

‘’Unë kam pritë ose dy ditë, dhe kam pritë që dikush të më thirre për atë status, por nuk më thirri. Ne jemi në funksione publike, kritikën dhe fyerjen duhet me e duru’’ potencoj ai.

Komento: