U arrestua nën akuzën për sulm seksual, lojtari i njohur përjashtohet nga klubi

09:46 | 21 January 2023

Lojtari i njohur tashmë është përjashtuar nga klubi i tij, pasi u arrestua nën akuzën për sulm seksual.

Dani Alves është liruar nga UNAM Pumas.

Klubi meksikan ka shkëputur kontratën me mbrojtësin brazilian në mënyrë të njëanshme, shkruan Gazeta Express.

Ky vendim nga Pumas vije pasi Alves u arrestua të premten, nën akuzën për sulm seksual ndaj një gruaje në një klub nate në Barcelonë.

Presidenti i klubit, Leopoldo Silva, tha se në klubin që ai drejton nuk tolerohen rastet e tilla.

“Me këtë vendim, klubi përsërit premtimin e tij se nuk do të tolerojë veprime nga asnjë anëtar i institucionit tonë që cenojnë frymën e institucionit dhe vlerat e tij”, tha fillimisht ai.

“Klubi është një institucion që promovon respektin, integritetin dhe sjelljen e drejtë brenda dhe jashtë fushës, të lojtarëve të tij, sepse ata janë një model në shoqëri, në Meksikë dhe kudo në botë dhe ne nuk mund të lejojmë sjelljen e një personi për të dëmtuar filozofinë tonë që ka qenë gjithmonë shembullore në stërvitjen dhe zhvillimin e sportistëve të rinj në vendin tonë”, shtoi Silva.

Dani Alves iu bashkua klubit nga Meksika në korrik të vitit të kaluar dhe ka bërë 13 paraqitje.

Kujtojmë se ndaj 39-vjeçarit është caktuar masa e paraburgimit, teksa hetimet ndaj rastit të tij po vazhdojnë.

Komento: