U.d kryeshefja e ARBK-së dhe dy zyrtaret tjera dyshohen për keqpërdorim detyre, ndryshuan pronësinë e aksioneve të një kompanie në vlerë mbi 50 mijë euro 

16:25 | 18 Mars 2026
u.d-kryeshefja-e-arbk-se-dhe-dy-zyrtaret-tjera-dyshohen-per-keqperdorim-detyre, ndryshuan-pronesine-e-aksioneve-te-nje-kompanie-ne-vlere-mbi-50-mije-euro 

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dhënë detaje për aksionin e zhvilluar të mërkurën në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK). Sipas Prokurorisë, ushtruesja e detyrës së kryeshefes së ARBK-së, Igballe Rexha-Jashari dhe dy zyrtaret F.L., dhe A.I-K., dyshohen se keqpërdorën detyrën duke ndryshuar pronësinë e aksioneve të një kompanie në vlerë mbi 50 mijë euro.

Prokuroria njofton se aksioni u zhvillua në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe njësitet përkatëse, në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Prokuroria bën të ditur se ushtruesja e detyrës së kryeshefes së ARBK-së, Igballe Rexha-Jashari dhe dy zyrtaret F.L., dhe A.I-K., dyshohen se keqpërdorën detyrën në mënyrë që personi I.B., të përfitojë dobi pasurore në mënyrë të kundërligjshme.

“Lidhur me këtë aksion, ekziston dyshimi i arsyeshëm se të pandehurat me inicialet I.R.J., F.L., dhe A.I.K., në cilësinë e personave zyrtarë në ARBK, të njëjtat dyshohen për veprën penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ nga neni 414 par.2 lidhur me par.1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së, të cilat duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin, me dashje dhe me qëllim kanë ndërmarrë veprime të kundërligjshme në mënyrë që personi me inicalet I.B., të përfitoj dobi pasurore në mënyrë të kundërligjshme”, njofton Prokuroria.

Prokuroria bën të ditur se të pandehurat dyshohen se kanë bërë ndryshimin e pronësisë së aksioneve të kompanisë “N.K.W.P” në vlerë mbi 50 mijë euro. Ato u liruan në procedurë të rregullt.

“Sipas dyshimeve, ato kanë bërë ndryshimin e pronësisë së aksioneve të kompanisë ‘’N.K.W.P’’ ’’Sh.P.K’’ në vlerë mbi 50.000 (pesëmbëdhjetëmijë) euro. Me vendim të prokurorit të shtetit, të dyshuarat janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa rasti po vazhdon të hetohet”, njofton Prokuroria./Betimi për Drejtës

Komento: