U ekstradua nga Hungaria, dërgohet në paraburgim i dyshuari për fajde

16:52 | 20 Korrik 2023
u-ekstradua-nga-hungaria,-dergohet-ne-paraburgim-i-dyshuari-per-fajde

Dje Policia e Kosovës ka njoftuar se tre shtetas të Kosovës që kanë qenë të kërkuar me urdhër-arrest ndërkombëtar janë ekstraduar nga shtetet tjera. Njëri prej tyre është B.L., i cili ka qenë i kërkuar nga Gjykata në Pejë për veprat penale “Fajde” dhe “Detyrim”. Atij tashmë i është caktuar paraburgimi, masë e cila do t’i zgjasë deri më 11 gusht.

Këtë  e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Pejë, Tringa Zhuti, e cila tha se nuk mund të japë më shumë detaje për shkak të hetimeve.

“I pandehuri B.L, është ekstraduar nga shteti i Hungarisë m datë 12.07.2023 dhe me datë 13.07.2023, gjykata duke vepruar sipas Kërkesës së Prokurorisë Themelore në Pejë, ndaj të njejtit ka caktuar masën e paraburgimit e cila masë mund të zgjas deri me datë 11.08.2023. Detaje të tjera lidhur me këtë çështje, gjykata nuk mund të ofroj për shkak se çështja penale në fjalë është ende në fazën e hetimeve”, tha Zhuti, per express.

Policia dje lëshoi një komunikatë ku thuhet se lëshimi i urdhër-arrestit ndërkombëtar është bërë me kërkesë të Ministrisë së Drejtësisë. PK ka njoftuar se B.L. është ekstraduar nga Hungaria në Kosovë më 12 korrik.

“Me kërkesën e pranuar nga Ministria e Drejtësisë, për lëshimin e urdhër arrestit ndërkombëtar, ndaj personit me iniciale (B. L.) mashkull/kosovar, i kërkuar për veprën penale “Fajde”, “Detyrim“ I kërkuar nga Gjykata Themelore-Pejë. Pas shkëmbimit të informacioneve dhe bashkëpunimit policor reciprok, personi është arrestuar nga autoritetet policore hungareze dhe i njëjti është ekstraduar nga Hungaria për në Kosovë me datën 12.07.2023”, thuhet në komunikatën e Policisë.

Përveç tij, janë ekstraduar edhe dy persona tjerë. Personi i parë është L.C. i kërkuar për veprën penale “Mashtrim”, që ka qenë në kërkim nga Gjykata Themelore e Ferizajt dhe ajo e Prishtinës. Ai është arrestuar nga autoritetet gjermane dhe më 30 qershor është ekstraduar në Kosovë.

Ndërsa personi tjetër është D.F., që është ekstraduar nga Finlanda në Kosovë më 14 korrik. Ai ka qenë i kërkuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë pasi ka qenë i dënuar me tri vite burgim për veprën penale “Trafikim me narkotik”.

Express ka dërguar pyetje në Policinë e Kosovës për të kuptuar numrin e personave që janë ekstraduar në vitet e fundit, mirëpo të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje. Pyetje redaksi

Komento: