U eliminua nga Kupa e Mbretit, Xavi me deklaratë interesante pas ndeshjes

15:28 | 25 January 2024

Barcelona mbeti pa një tjetër trofe pasi u eliminua në çerekfinale të Copa del Rey nga Athletic Bilbao në ndeshjen e zhvilluar mbrëmë në San Mames.

Trajneri Xavi Hernandez ka folur në konferencë për shtyp, përmes së cilës e shpjegoi momentin jo të mirë të ekipit dhe ndërkohë është i vetëdijshëm se kur s’ka rezultate, edhe trajnerit i rrezikohet karrigia.

“Kemi provuar, u përballëm me një skuadër të madhe. Copa del Rey sjell ndeshje unike dhe në San Mames është gjithmonë e vështirë. Kaluam në epërsi dhe na mungoi goli i fitores në fund me Lamine Yamal. Ata ishin të ngjeshur, agresivë. Duhet të reflektojmë, por mund të jemi krenarë, kemi luftuar”, deklaroi fillimisht Xavi në konferencë për shtyp.

“Tash do të koncentrohemi në kampionat dhe në Ligën e Kampionëve. Unë jam i qetë. Do të luftojmë për tituj siç kemi bërë edhe sot”, vazhdoi ai.

“Do të luajmë për djelmoshat, jemi në ndërtim e sipër. Është fillimi i diçkaje të rëndësishme, qofsha unë trajner apo jo. Ka një të ardhme. Kur nuk fiton, presioni bie mbi trajnerin”, përfundoi Xavi.

Komento: