U emërua nënkryetar i Graçanicës, Ajeti: S’ka koalicion me Listën Serbe, kjo përcaktohet me Ligj

17:26 | 30 Dhjetor 2025
U emërua nënkryetar i Graçanicës, Ajeti: S’ka koalicion me Listën Serbe, kjo përcaktohet me Ligj

Ish-kandidati i “Aleancës Shqiptare” për kryetar të Komunës së Graçanicës, Leutrim Ajeti, është emëruar nënkryetar i kësaj komune.

Lajmin e ka konfirmuar vetë ai, përmes një postimi në Facebook.

“Me propozim të Kryetarit të Komunës, z. Novak Zhiviq, sot Kuvendi Komunal në Graçanicë më emëroi Nënkryetar të Komunës për Komunitete për herë të dytë radhazi”, shkroi Ajeti.

Ndërkaq, në media u raportua se ky emërim i tij u arrit pas një marrëveshjeje koalicioni mes LVV-së dhe Listës Serbe në këtë komunë, parti nga e cila vjen edhe vetë kryetari Zhiviq.

Por, këtë e mohoi Ajeti, duke thënë se emërimi i tij është i paraparë me Ligjin për vetëqeverisje Lokale.

“Nuk ka asnjë koalicion me askënd! Ligji për Vetëqeverisje Lokale e specifikon qartë, Nënkryetari për Komunitete është detyrim ligjor në Komunat ku Komunitetet pakicë janë mbi 10%”, shkroi Leutrim Ajeti.

Kujtojmë se Ajeti ishte kandidati i përbashkët i partive shqiptare për kryetar të Komunës së Graçanicës në zgjedhjet e tetorit, por që nuk arriti të fitojë. Ai u mposht nga kandidati i Listës Serbe, Novak Zhiviq.

Komento: