
Një tentativë vjedhjeje në një vilë private i ka marrë jetën një 46-vjeçar shqiptar në Itali, i cili u rrëzua nga ballkoni ndërsa mundohej të largohej pas vjedhjes, i frikësuar nga të shtënat me armë zjarri të pronarëve të shtëpisë.
Sipas informacioneve paraprake, shqiptari kishte hyrë në banesë së bashku me dy bashkëpunëtorë të tjerë. Pronarët e shtëpisë i kanë zbuluar dhe kanë qëlluar në ajër me armë zjarri, çka ka shkaktuar panik te hajdutët, të cilët janë larguar me vrap.
Gjatë arratisjes, 46-vjeçari është rrëzuar nga një lartësi rreth dy metra dhe dyshohet se ka pësuar një çarje të thellë në këmbë, e cila ka shkaktuar më pas një hemorragji të rëndë e cila i mori jetën. Shqiptari arriti të vraponte rreth 20 metra përpara se të rrëzohej në tokë, ku më pas ndërroi jetë.
Autoritetet italiane kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Karabinierët janë në kërkim të dy personave të tjerë që dyshohet se ishin pjesë e grupit. Dyshohet se automjeti me të cilin autorët iu afruan zonës mund të jetë fshehur në afërsi dhe se persona të tjerë mund të kenë qenë në pritje.