U ftuan për herë të parë nga Kosova, kush janë Ibrahim Dresheviq dhe Yildren Ibrahimaj?

15:09 | 22 Maj 2019

Kosova ka publikuar listën e lojtarëve për dy ndeshjet e qershorit.

Trajneri i Kombëtares së Kosovës, Bernard Challandes, e ka publikuar listën e futbollistëve të zgjedhur për dy ndeshjet e radhës të Kosovës, të cilat do të zhvillohen në muajin qershor. Në mesin e futbollistëve që i shohim zakonisht me fanellën e Kosovës, janë edhe disa të rinj.

Përveç Florent Hadërgjonajt, për të cilin Federata e Futbollit të Kosovës kishte njoftuar më parë se do t’i bashkohej Kosovës për ndeshjet e qershorit, risi në skuadrën e ftuar nga Bernard Challandes janë edhe Ibrahim Dresheviq dhe Ylldren Ibrahimaj, shkruan express.

Këta dy futbollistë do të stërviten për herë të parë me Kosovën më 2 qershor në stadiumin “Fadil Vokrri”, në orën 18:00. Por, kush janë këta dy futbollistë?

Foto: Ylldren Ibrahimaj

Ylldren Ibrahimaj është një mesfushor 23-vjeçar, i cili ka pasur mundësi ta përfaqësojë edhe Norvegjinë.

Ibrahimaj luan për klubin Viking, që garon në nivelin e parë të futbollit të Norvegjisë. Ai i ka bërë nëntë paraqitje për këtë klub këtë sezon në Eliteserien, gjatë së cilave i ka shënuar dy gola dhe i ka asistuar tri të tjera.

Para se të ftohej këtë herë nga Kosova, Ibrahimaj nuk e kishte përfaqësuar asnjë ekip kombëtar deri më tani. Ndërsa, qysh nga qershori, ai do të jetë pjesë e “Dardanëve”.

Foto: Ibrahim Dresheviq

Ibrahim Dresheviq është një mbrojtës 22-vjeçar, i cili kishte pasur mundësi ta përfaqësojë edhe Suedinë dhe Malin e Zi.

Dresheviq luan për klubin holandez Heerenveen, ku u transferua gjatë afatit kalimtar të janarit të këtij viti nga Elsborg. Gjithsej këtë sezon ai i ka zhvilluar tetë ndeshje, gjashtë në Eredivisie dhe dy në Beloften Eerste Divisie.

Para se të ftohej këtë herë nga Kosova, ai e kishte përfaqësuar Suedinë, mirëpo asnjëherë nuk kishte luajtur për ekipin e parë. Dresheviq i regjistroi nëntë paraqitje për grupmoshat e Kombëtares së Suedisë.

Gjatë muajit qershor, Kosova do t’i zhvillojë dy ndeshje në kuadër të Grupit A të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2020. Fillimisht, “Dardanët” do të përballen me Malin e Zi më 7 qershor në Podgoricë, ndërsa tre ditë më vonë do ta vizitojnë Bullgarinë në Sofje.

Komento: