U infektu me koronavirus , kjo është gjendja shëndetësore e Albin Kurtit

11:30 | 28 Tetor 2020

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, është infektuar me koronavirus. Lajmin për këtë e ka bërë të ditur vetë ai. Nga VV’ja kanë treguar për gjendjen shëndetësore të Kurtit.

Zëdhënësi i VV’së, Përparim Kryezi, ka thënë për Express se gjendja shëndetësore e Kurtit është e mirë.

“Në përjashtim të simptomave për të cilat ka njoftuar vetë z.Kurti, gjendja shëndetësore e tij është shumë e mirë”, ka deklaruar Kryeziu.

Kurti ka njoftuar sot se simptomat e COVID-19 i janë paraqitur para dy netësh, derisa ka theksuar se të martën është testuar dhe ka rezultuar pozitiv.

“Parmbrëmë kisha disa simptoma: kokëdhembje të lehtë, pak koll dhe dhembje e skuqje të syve. Dje jam testuar për COVID-19 dhe kam rezultuar pozitiv. Në dy javët në vijim do të qëndroj në vetizolim”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Në fillim të vitit 2019, Kurti ishte shtrirë në Intensivë për shkak të komplikimeve që i ishin shfaqur si pasojë e një ftohjeje.

Drejtori i Infektivës, Hamdi Ramadani, kishte treguar se fillimisht ekzistonin dyshimet se kreu i VV-së, ishte prekur nga gripi sezonal

“Ai është pranuar në Klinikën Infektive të martën rreth orës 10:00 të paradites me një gjendje klinike të rëndë. Ka pasur ftohje që ne e quajmë mushkërore. Kemi pas edhe dyshime se bëhet fjalë për sëmundjen epidemike të gripit dhe influencës”, kishte thënë Ramadani për Express.

“Për fat të mirë që nga mesdita e deri më sot gjendja e tij është përmirësuar. Më nuk ka nevojë për frymëmarrje artificiale. Sëmundja është në regresion. Analiza është në përmirësim. Do t’ia bëjmë edhe disa incizime”, kishte deklaruar ai.

Komento: