U intervistua 18 orë nga prokurorët e Specialës, Safet Syla tregon çka ndodhi

10:43 | 13 December 2018

Ish-komandanti i UÇK-së Safet Syla ka treguar se si u intervistua për 18 orë nga Specialja.

Safet Syla është intervistuar nga Prokuroria Speciale e Gjykatës Speciale për dy ditë radhazi me nga nëntë orë në ditë, pra, gjithsej 18 orë.

Para gazetarëve ai sot ka thënë se nuk ka qenë i njoftuar se në çfarë cilësie është intervistuar dhe, duke thënë se kryesisht është pyetur për detyrat dhe angazhimin e tij personal gjatë kohës së luftës së fundit, por jo për çështjet konkrete.

Për gjërat e njëjta për të cilat ka dëshmuar dje para prokurorisë speciale, ai ka thënë se është intervistuar edhe në vitin 2011 nga Maulizio Salustro i Eulexit.

Syla ka thënë se nuk ka marrë ftesë me letër të shtypur, por është ftuar përmes telefonit.

Ai ka shtuar se të gjithë pjesëtarët e UÇK-së që pranojnë ftesë prej Gjykatës Speciale duhet të paraqiten dhe t’i përgjigjen drejtësisë dhe jo të ikin, për arsye që sipas tij nëse dikush prej tyre fillon t’i ikë gjykatës, atëherë të gjithë duhet të ikin, por sipas tij nuk kanë ku të shkojnë, pra duhet t’i përgjigjen.

Ai ka thëne se nuk ka dorëzuar ndonjë dokumentacion, p.sh. ndonjë ditar, fotografi e gjëra të tilla, sepse siç ka thënë, kanë kaluar 20 vjet nga koha e luftës dhe nuk kanë dokumentacion të tillë.

Syka po ashtu ka deklaruar se Gjykata Speciale është padrejtësi që i është bërë Kosovës, duke thënë se nuk ka gjykatë në botë që merret veç me njërën palë.

Komento: