U kritikua shumë, tashmë askush në Kosovë nuk i beson Mogherinit

12:26 | 20 December 2018

Duket se Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini nuk është më e dëshiruar në Kosovë.

Edhe kryeministri Ramush Haradinaj ka hapur një seri përplasjesh me ndërmjetësuesen, që, sipas tij, e ka humbur kredibilitetin. Eurodeputeti gjerman Knut Fleckenstein, eksperti për Ballkan, David Phillips, dhe analisti Astrit Gashi tregojnë për Gazetën Express nëse Mogherinit i ka mbetur vend në fotografinë e negociatave, si diplomate e paanshme.

Federica Mogherini, përfaqësuese e Lartë e Bashkimit Evropian, konsiderohet të jetë kthyer në palë kur bëhet fjalë për dialogun Kosovë – Serbi, ndonëse është e thirrur të ndërmjetësojë mes tyre.

Kosovarët e akuzojnë se ajo po mban anën e Serbisë, ndërsa me Mogherinin nuk është i kënaqur as kryeministri Ramush Haradinaj.

Të hënën i pari i ekzekutivit pati një përballje me Përfaqësuesen e Lartë gjatë mbledhjes në Bruksel, ku përmendi se ndërmjetësimi nga BE-ja ka humbur kredibilitetin.

Mogherini iu hakmor Haradinajt përmes një letre të dërguar një ditë pas përplasjes në Bruksel. Aty i potencoi se presidenti Thaçi është i vetmi lider me të cilin ajo merret gjatë negociatave. Ndërsa, kur ftoi kryeministrat e Ballkanit, anashkaloi Haradinajn për t’i çuar ftesë të preferuarit të saj, Thaçit.

Në një postim të Mogherinit për 70-vjetorin e Deklaratës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, janë lënë mbi 17 mijë komente. Shumica absolute e tyre janë komente të qytetarëve të Kosovës që e fajësojnë Përfaqësuesen e Lartë se postimi i saj është i pavlerë derisa Kosovës i shkelen të drejtat.

David Phillips, profesor i Universitetit Kolumbia, Drejtor i Institutit të Paqes në Universitetin e Kolumbias në Neë York, i cili është njohës i Ballkanit, ka thënë se Mogherini ka dështuar në rolin e saj.

“Përpjekjet e saj kanë qenë të pasuksesshme deri më tani. Ndërmjetësuesja duhet të jetë më proaktive, të bëjë diplomaci lëvizëse, e jo të organizojë takime në Bruksel. Ndërmjetësimit i duhet më shumë pushtet. Unë moti kam thënë që SHBA-ja duhet të bashkëkryesojë dialogun”.

Phillips thotë se me Mogherinin si ndërmjetësuese, dialogut i mungon transparenca dhe, sipas tij, SHBA-ja duhet të hyjë si ndërmjetësuese mes Kosovës e Serbisë.

“Nuk e dimë çka po ndodh, sepse dialogut i mungon transparenca. Është zhvilluar prapa dyerve të mbyllura. Dialogut i duhet një ndërmjetësues i fuqishëm, jo një lehtësim pasiv”, ka thënë ai.

Për çfarëdo konfrontimi mes Kosovës e Serbisë për shkak të dështimit të dialogut, Phillips thotë se do të fajësohet Mogherini.

“Nëse dialogu dështon, ka gjasa që të ketë konfrontim të dhunshëm mes Kosovës dhe Serbisë. Do të fajësohet Mogherini. Debati i brendshëm në Kosovë për ndryshimin e kufijve ka qenë një hutim i madh. Politikanët kosovarë duhet të fokusohen në normalizim, që nënkupton njohjen e Kosovës nga Serbia me kufijtë e tanishëm.

Ndërsa, në Bashkimin Evropian nuk dihet se sa të kënaqur janë vendet anëtare për punën që po bën Mogherini. Megjithatë, Gjermania është ankuar disa herë se nuk po bën mjaftueshëm në rolin e saj.

Eurodeputeti gjerman, Knut Fleckenstein, mohon se italiania që ndërmjetëson negociatat, po mban anë.

“Kjo është pjesë e marrëveshjes, që ajo të jetë ndërmjetësuese në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe mendoj se ajo po bën mjaftueshëm që këto relacione të rregullohen”, është shprehur eurodeputeti kur është pyetur se si e sheh rolin e Mogherinit në normalizimin e raporteve mes Kosovës e Serbisë.

Ndryshe nga siç e shohin kosovarët, sipas Fleckenstein-it, Përfaqësuesja e Lartë ua do të mirën të dyja palëve.

“Ajo ua do të mirën popullit kosovar dhe atij serb. Ajo, madje disa herë e ka bërë të ditur se është e interesuar për mirëqenien e popullit kosovar dhe atij serb”, është shprehur Fleckenstein për Gazetën Express.

Analisti Astrit Gashi thotë se Përfaqësuesja e Lartë ka qasje të pabarabartë në raport me Kosovën dhe Serbinë.

“Kredibiliteti i ndërmjetësueses së BE-së Frederica Mogherini në Kosove është gati se i rënë plotësisht. Kjo vjen si pasojë e qasjes së saj jo të barabartë ndaj Kosovës dhe Serbisë, gjate dialogut që ka ndërmjetësuar”, është shprehur Gashi.

Ai numëron disa fusha në të cilat Mogherini ka shprehur eksplicit anshmërinë e saj, duke përmendur se ndërmjetësuesja prej BE-së nuk i ka bërë presion Serbisë për zbatimit e marrëveshjeve, ndërsa Kosovës i ka bërë presion për taksën 100 për qind të vënë ndaj produkteve serbe.

“Janë shumë marrëveshje, sikur ajo e Energjisë, të cilat nuk janë zbatuar nga Serbia ndërsa Mogherini nuk ka bërë presion të mjaftueshëm ndaj asaj për implementim. Ndërkohë qe poashtu gjatë këtij procesi të ndërmjetësuar nga ajo Kosova është detyruar të bëjë lëshime të tilla në marrëveshje sikurse ajo për AKS-n, e cila është shpallur në kundërshtim nga Gjykata Kushtetuese”, është shprehur analisti Gashi.

Sipas tij, pikë e dobët është edhe besimi qe është krijuar tek politika dhe opinioni publik se Mogherini është mbështetësja kryesore e shkëmbimit te territorit mes Kosovës dhe Serbisë.

Shkëmbimin e territorit e ka përmendur edhe kryeministri Haradinaj të hënën në Bruksel.

“Megjithatë, njëzet vjet pas luftës, dhjetë vjet pas pavarësisë, dhe pesë vjet pas Marrëveshjes së Brukselit, realiteti është se, përparimi drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka qenë minimal, dhe në fakt tani ka dalë krejtësisht nga binarët, veçanërisht me diskutimin publik mbi idenë fatale të korrigjimit të kufirit dhe shkëmbimit të territorit; Ka dëmtuar seriozisht kredibilitetin e ndërmjetësuesit, dhe ka dëmtuar arritjet që kemi bërë në dialogun e ndërmjetësuar nga BE për më shumë se 7 vjet”, tha Haradinaj.

Federica Mogherini mban postin e zëvendëspresidentes së Komisionit Evropian prej vitit 2014.

Komento: