Edhe pse ai sapo ka mbërritur në Barcelonë, Pierre-Emerick Aubameyang mund të largohet nga Camp Nou. Sulmuesi 33-vjeçar nuk llogaritet për Xavi Hernandez dhe gjigantët katalanas po kërkojnë të përfitojnë nga largimi i tij i mundshëm.
Aubameyang iu bashkua Barçës në janar 2022, pasi përfundoi kohën e tij në Arsenal. Që atëherë, reprezentuesi gabon ka luajtur 24 ndeshje zyrtare si ‘Cule’ dhe ka shënuar 13 gola, përcjell ORAinfo.
Këto shifra duket se nuk janë mjaft të mira për Barçën, e cila po kërkon të shesë ish-lojtarin e Borussia Dortmundit për të ulur numrin e lojtarëve në skuadrën e tyre dhe po shqyrton ofertën e Chelseat.
Blutë janë të interesuar për nënshkrimin e sulmuesit me përvojë, për të cilin tashmë kanë ofruar deri në 19 milionë euro. Në fakt, në një konferencë shtypi Thomas Tuchel la derën hapur në Stamford Bridge për sulmuesin: “Deri në fund të merkatos ka mundësi për nënshkrim”.
E për këtë ardhje të mundshme të ‘Aubës’ te klubi anglez ka folur tashmë gazeta ‘Sport’, e cila siguron se lojtari tashmë ka dhënë miratimin e tij për ofertën trevjeçare të skuadrës londineze, e cila i ofron edhe një pagë më të lartë se sa merr me katalanasit, një opsion që ai e mirëpret për të vazhduar karrierën e tij si profesionist./ORAinfo/