Real Madridi tanimë e ka arritur një marrëveshje për transferimin e Eden Hazardit nga Chelsea për sezonin e ardhshëm, pretendon radio spanjolle, Onda Madrid.
Megjithatë, Chelsea nuk do ta lejojë Hazardin të largohet lehtësisht, para se t’i përfundojë kontrata në vitin 2020. Klubi i Premierligës është duke kërkuar rreth 170 milionë euro për të, transmeton Gazeta Express.
Megjithatë, Real Madridi nuk është i gatshëm ta shpenzojë një shumë të tillë për Hazardin për shkak se ai është në fund të kontratës së tij. Klubi madrilen dëshiron që ta marrë Hazardin si pjesë e një marrëveshje për shkëmbimin e Mateo Kovacicit dhe belgut.
Kovacici është për momentin i huazuar në Chelsea, mirëpo ai nuk dëshiron të kthehet në Santiago Bernabeu në fund të sezonit, kur i përfundon marrëveshja për huazim. Edhe drejtuesit e Chelseat dëshirojnë ta mbajnë kroatin për një kohë më të gjatë.
Hazardi ka folur shpeshherë për dëshirën e tij për të luajtur në Real Madrid, gjë të cilën e ka bërë të qartë në një intervistë ku edhe kishte thënë se do të jetë i lumtur edhe nëse vazhdon me Chelsean, edhe nëse largohet.
Trajneri i Chelseat, Maurizio Sarri, dëshiron ta mbajë Hazardin në skuadrën e tij edhe për sezonet e ardhshme: “Është zgjedhja e tij. Mendoj se klubi dëshiron ta rinovojë kontratën e tij menjëherë, por kjo është zgjedhja e tij. Unë e dua Edenin këtu, natyrisht, por e dua këtu nëse edhe ai e do një gjë të tillë”.