U kry! Këtë fanellë do ta vesh Oblak

14:05 | 17 Prill 2019

U kërkua nga shumë skuadra, por Jan Oblak do ta vesh fanellën e Atletico Madridit.

Jan Oblak shuan çdo dyshim lidhur me të ardhmen e tij. Portieri slloven ka vendosur të qëndrojë te Atletico e Madridit pasi ka rinovuar zyrtarisht kontratën me Los Colchoneros deri në verën e vitit 2023.

Kontrata e mëparshme e Oblak skadonte në vitin 2021 ndërkohë që në marrëveshjen e re është përmirësuar ndjeshëm paga e gardianit i cili tashmë do të përfitojë plot 10 milionë euro në sezon, një shifër e konsiderueshme kjo për një portier, por Oblak e ka treguar veten gjatë këtyre viteve të fundit dhe kjo ishte arsyeja që Atletico e Madridit i ka plotësuar çdo kërkesë numrit 1, pasi për Oblak kanë shfaqur interes shumë klube të mëdha.

Në marrëveshjen e re është rritur edhe klauzola e largimit nga 100 në 120 milionë euro, me Oblak që nëse do të shitej do të bëhej portieri më i shtrenjtë në botë.

Slloveni mbërriti në Madrid në vitin 2014 nga Benfica për 16 milionë euro. 26-vjeçari ka zhvilluar 203 ndeshje me fanellën e Atleticos, ku 115 prej tyre i ka mbyllur pa pësuar gol (56.6%). Në pesë sezone në Spanjë, Oblak ka fituar një Superkupë të Spanjës, një Europa League dhe një Superkupë Europe.

Komento: