Sulmuesi i Kosovës kalon me sukses vizitat te Brighton.
Sulmuesi me origjinë nga Kosova, Andi Zeqiri është vetëm një hap larg firmës me klubin e Premier Leagues, Brighton.
Burime për Supersport konfirmojnë se futbollisti 21-vjeçar ka kaluar me sukses testet mjekësore dhe firma mbi kontratë e zyrtarizimi është vetëm çështje orësh.
Me prindër nga Ferizaj, Andi Zeqiri ka lindur në Lozanë të Zvicrës, ku edhe është rritur si futbollist e ka debutuar në skuadrën e parë thuajse 5 vite më parë.
Sezonin e fundit 21-vjeçari ishte protagonist te skuadra e Lozanës, pasi shënoi 22 gola në 37 ndeshje dhe ndihmoi ekipin në rikthehet në Superligën e Zvicrës.
Prej kohësh ishte folur për interesimin e skuadrave të ndryshme për sulmuesin e talentuar, por duket se Brighton lëvizi më shpejt dhe arriti të bëjë të vetin qendërsulmuesin.
Andi Zeqiri ka luajtur me të gjithë ekipet e moshave të Përfaqësueses zvicerane, që nga U15 dhe deri te U21, teksa me këtë të fundit ka shënuar 9 gola në po kaq ndeshje të zhvilluara.
Gjithsesi në verë sulmuesi vendosi të përfaqësojë Kosovën dhe drejtuesit e FFK-së po i përgatisin dokumentacionin për ta pasur në dispozicion për ndeshjet e muajit tetor, ku “Dardanët” do të provojnë të sigurojnë një vend në Kampionatin Europian.