U largua nga Colorado Rapids, Gashi përfiton miliona

11:49 | 02 Mars 2019

Shkëlzen Gashi është larguar nga ekipi amerikan Colorado Rapids.

Kampionati amerikan nis këto ditë dhe dukej se shqiptari i vetëm i mbetur në MLS, Shkëlzen Gashi, po rikthehej protagonist pas një viti plot dëmtime, por sot ka ardhur befasia: sulmuesi largohet zyrtarisht nga Colorado Rapids!

Ka qenë vetë klubi amerikan që e ka lënë jashtë ekipi 30-vjeçarin, në prag të sfidës hapëse të kampionatit, kundër Portland Timbers.

Kjo bën që Colorado të lirojë vend për një futbollist ndërkombëtar, ndërkohë që Gashi ishte “Designated Player”, një ndër tre futbollistët më të shtrenjtë për klubin.

Sulmuesi u transferua te Rapids në vitin 2016, nga Basel, ndërsa shënoi 9 gola e dha 4 asiste në sezonin e parë amerikan (Colorado shkoi në play-off), por më pas rendimenti i tij pësoi rënie graduale, me pak minuta e shumë pak gola.

Gjithsesi, Gashi kishte kontratë edhe për vitin 2019, ndaj Rapids është i detyruar ta paguajë, 1.67 milionë dollarë në bazë të kontratës.

Nëse Gashi nuk gjen ekip të ri në 2019, do të paguhet tërësisht nga Colorado, ndërsa në rast se një klub tjetër i ofron kontratë më të ulët, Gashi do të marrë diferencën nga Colorado.

Komento: