U largua nga Interi, lojtari dëshiron t’i hakmerret skuadrës

09:36 | 06 Gusht 2019

Nainggolan u largua nga skuadra e Interit.

Lojtari i ri i transferuar në Cagliari, Radja Nainggolan, e ka pranuar se ai dëshiron t’ia dëshmojë Interin se bënë gabim që e lanë atë të largohet gjatë këtij afati kalimtar.

Radja Nainggolan e kompletoi transferimin e tij si huazim për një sezon në Cagliari, pasi trajneri i ri i Interit, Antonio Conte, ia kishte bërë të qartë se nuk ka vend për të në skuadër, transmeton Gazeta Express.

“Dua ta falënderoj presidentin sepse ai ishte menjëherë i qartë me mua dhe bëri diçka që ishte pothuajse e pamundur. Ai më bindi, unë e di kush është ky klub dhe e di se do të luftojmë. Unë jam gati. Kisha edhe oferta të tjera, por s’e pata të vështirë të zgjedhja”, tha Nainggolan.

“Tashmë e kisha në mendje të kthehem aty nga ku u largova para pesë vjetësh, mirëpo nuk mendova se ky moment do të vinte kaq shpejt. Nganjëherë situata të tilla vijnë që ta bëjmë zgjedhjen më të lehtë”.

“Unë jam i gatshëm dhe e pranoj vendimin e Interit: tani është radha ime t’ua dëshmoj atyre se e bënë një gabim të madh. Erdha këtu sepse e di që mund të synojmë shumë: mbijetesa është prioriteti kryesor, por, me këtë skuadër, në guxojmë të ëndërrojmë”.

“Dëshira për t’u shkruar në historinë e klubit dhe ngjarjet jashtë futbollit më shtynë ta bëj këtë zgjedhje. Unë jam vetëm në huazim, por nëse presidenti dëshiron të më blej…”.

31-vjeçari më parë ka shpenzuar katër sezone me “Rossoblu”, ka shënuar shtatë gola në 137 paraqitje mes viteve 2010 dhe 2014.

Në qershor të vitit të kaluar, Nainggolan u transferua te Interi për 38 milionë euro (24 milionë plus Davide Santon dhe Nicolò Zaniolo, që të dy me vlerë 14 milionë) dhe nënshkroi kontratë deri më 2022.

Por, në sezonin e parë asgjë nuk shkoi siç duhet për ish-mesfushorin e Romës, kurse me të arritur Antonio Conte në Milano, konfirmoi se Nainggolan nuk bën fare pjesë në planet e tij duke e detyruar të largohet.

Komento: