U mbajt takimi i Këshillit Kombëtar për Ekonomi dhe Investime

13:03 | 07 Maj 2024
u-mbajt-takimi-i-keshillit-kombetar-per-ekonomi-dhe-investime

U mbajt sot takimi i radhës i Këshillit Kombëtar për Ekonomi dhe Investime, nën Kryesimin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti. Në mesin e pjesëmarrësve ishin dhe zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi e ministra e përfaqësues nga kabinetet qeveritare.

Në fjalën e tij, kryeministri tha se një dialog i fuqishëm publik privat forcon besimin ndërmjet dy sektorëve prandaj është thelbësore të kuptojmë se si një dialog i tillë i strukturuar mirë mund ta transformojë ekonominë tonë.

Me këtë rast, kryeministri u bëri thirrje bizneseve tona më konkurruese, shoqatave të biznesit dhe projekteve të financuara nga donatorët që të vazhdojnë e forcojnë edhe më tej bashkëpunimin me Qeverinë e Republikës së Kosovës, për të zhvilluar plane strategjike dhe operacionale që rrisin investimet e huaja direkte, eksportet dhe nxisin zhvillimin efektiv të biznesit.

Para të pranishmëve, kryeministri listoi disa prej të arriturave të periudhës së fundit, nga inaugurimi i Programit Kompakt të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit, MCC, përmbyllja me sukses e ankandit të parë diellor prej 100 MW e deri tek vlerësimi pozitiv nga Fitch Ratings.

Zëvendëskryeministri Bislimi në adresimin e tij trajtoi Planin e Rritjes të BE-së për Ballkanin Perëndimor, synimet e objektivat e tij. Korniza e fushave ka qenë standarde dhe e vendosur nga Komisioni Evropian dhe përbën pesë prej tyre: qeverisja; tranzicioni i gjelbër dhe digjital; zhvillimi i sektorit privat dhe mjedisin e biznesit; edukimin apo zhvillimin dhe ruajtjen e kapitalit njerëzor; dhe vlerat themelore dhe sundimi i ligjit.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, pasi bëri një përmbledhje të skemave për efiçiencë të energjisë, tha se me nivelin e investimeve që parashihen në këtë sektor, Kosova është e para në rajon që ka kaq shumë investime në këtë fushë në këtë kohë kyçe, ndërkaq, Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë  dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari tha se mbështetja e krijimit të parqeve moderne industriale është një nga masat prioritare të politikës së parë industriale 2030, pra që nga koha e pas luftës, e cila është një strategji zhvillimore gjithëpërfshirëse për sektorin e prodhimit të Kosovës.

Zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi paraqiti disa prej aktiviteteve që janë ndërmarrë gjatë kësaj periudhe prej takimit paraprak të këtij Këshilli në shkurt të këtij viti, si vazhdimi i punëve në projektet e ndryshme infrastrukturore në vend.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

 

Faleminderit z. Artan Mehmeti, drejtues i sekretariatit të Këshillit Kombëtar për Ekonomi dhe Investime,

I nderuari z. Besnik Bislimi, zëvendëskryeministër i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog,

E nderuara znj. Artane Rizvanolli, ministre e Ekonomisë,

I nderuari z. Hekuran Murati, ministër i Financave, Punës dhe Transfereve,

E nderuara znj. Rozeta Hajdari ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë,

I nderuari zëvendësministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi,

Të nderuar përfaqësues të misioneve diplomatike,

Të nderuar ndërmarrës, përfaqësues, drejtues të shoqatave të bizneseve,

Zonja dhe zotërinj,

Para se të fillojmë, do të doja të ndaja me ju një vëzhgim të lehtë: Kur një afarist ekonomik dhe një zyrtar publik ulen për një diskutim, sikurse ne këtu bashkë sot, ata të dy e kanë vështrimin në gjëra të ndryshme – afaristi është i interesuar normalisht e zakonisht për fitimin në fund, ndërsa zyrtari publik doemos për politikat në fillim në lidhje me sektorin e biznesit. Është një rikujtim i mirë që ne të gjithë mund të mësojmë nga njëri-tjetri dhe asisoj të jemi komplementar për njëri tjetrin dhe për të gjithë së bashku.

Sot, ndërsa jemi mbledhur këtu për të diskutuar relacionet e rëndësishme ndërmjet sektorit publik dhe privat, është thelbësore të kuptojmë se si një dialog publik privat i strukturuar mirë mund ta transformojë ekonominë tonë.

Para së gjithash, një dialog i fuqishëm publik privat forcon besimin ndërmjet sektorit privat dhe atij publik. Besimi është armatura në themelin tonë ekonomik. Me të, ne mund të ndërtojmë gjëra të mëdha. Pa të, edhe planet më të mira dështojnë.

Përmes dialogut, ne identifikojmë mundësitë e zhvillimit të sektorit privat, duke rritur investimet e huaja direkte, duke shtuar eksportet dhe duke ngritur konkurrencën e përgjithshme të bizneseve kosovare. Imagjinoni mundësitë kur bashkojmë pikat tona të forta dhe ndajmë një vizion të përbashkët.

Po aq e rëndësishme është edhe fuqia jonë punëtore. Nëpërmjet formimit dhe edukimit profesional, që synon plotësimin e nevojave të sektorit privat, ne po krijojmë një të ardhme më të sigurt për të gjithë. Ne duam që qytetarët tanë të jenë të përgatitur mirë dhe konkurrues, pikërisht këtu në Kosovë.

Duke krijuar mundësi të vlefshme punësimi, ne përmirësojmë mirëqenien e qytetarëve tanë. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me fitimet – ka të bëjë me njerëzit.

U bëj thirrje bizneseve tona më konkurruese, shoqatave të biznesit dhe projekteve të financuara nga donatorët që të vazhdojnë e forcojnë edhe më tej bashkëpunimin me Qeverinë e Republikës së Kosovës. Së bashku, ne mund të zhvillojmë plane strategjike dhe operacionale që rrisin investimet e huaja direkte, eksportet dhe nxisin zhvillimin efektiv të biznesit.

Shefi im i Stafit në Kryeministri, Luan Dalipi, dhe ministritë përkatëse, kanë punuar ngushtë me Sekretariatin e këtij Këshilli. Ne kemi parë tashmë rezultatet fillestare nga ky dialog. Për shembull, ne po lëvizim për të hequr licencën e eksportit për produktet farmaceutike, një pengesë kjo jo tarifore që vështirësoi biznesin për shumë vite me radhë.

Kjo është një dëshmi e asaj që mund të arrijmë përmes bashkërendimit ndërinstitucional dhe komunikimit të qartë me bizneset.

Javën e kaluar e inauguruam Programin Kompakt të Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit, MCC, një projekt historik e në të njëjtën kohë avangardë në sektorin e energjisë në vlerë prej 236.7 milionë euro – prej tyre 202 milionë dollarë grant nga Qeveria e ShBA-së, kurse pjesa tjetër bashkëfinancim nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Ky projekt do ta bëjë Kosovën shtetin me kapacitetin më të madh të baterive për kokë banori në botë.

Një pikë e rendit të ditës sot është edhe miratimi i Rregullave dhe Procedurave të Punës së Këshillit. Kjo qasje e strukturuar do të përmirësojë dialogimin tonë, duke na udhëhequr drejt një bashkëpunimi efektiv.

Gjatë vizitës sime të fundit në Hannover Messe të Gjermanisë, panairin më të madh ndërkombëtar të teknologjisë dhe të industrisë në botë, theksova me krenari përmirësimet tona në sundimin e ligjit, lirinë dhe demokracinë. Kosova është një ekonomi demokratike, e qëndrueshme dhe me treg të hapur e ligjshmëri të pakompromis. I kishim 42 metra katrorë sivjet për herë të parë me dhjetë biznese, gjysma ishin përpunim i lehtë ndërsa gjysma tjetër nga sektori i TIK-ut. Do të punojmë që gjithnjë e më shumë të marrim pjesë në panaire ndërkombëtare të cilat e ndihmojnë eksportin tonë por edhe investimet e huaja.

Ne i kemi identifikuar mbi 6 miliardë euro nevoja për investime për infrastrukturë të re ose për ta përmirësuar atë ekzistuese publike.

E përmbyllëm me sukses edhe ankandin e parë diellor prej 100 MW. Në mesin e gjashtë ofertuesve me reputacion fitues doli një konsorcium zvicerano-gjerman, “Orllati” i udhëhequr nga një biznes i suksesshëm kosovaro-zviceran që ofronte çmimin 48.88 EUR/MWh, apo 35% më të ulët se sa çmimi tavan që kishim vendosur fillimisht pra 75 euro për MW orë.  Ndërkohë që po përgatitemi për ankandin e ardhshëm, kësaj radhe me energji të erës me kapacitet prej 150MW.

Kosova së fundmi ka arritur vlerësimin e saj inaugurues të kredisë sovrane nga Fitch Ratings, falë mbështetjes nga USAID-i. Kjo arritje do të rrisë investimet e huaja, do të ulë kostot e huamarrjes, do të përmirësojë qasjen në tregjet globale të kapitalit dhe do të nxisë edhe më tej rritjen ekonomike të vendit tonë.

Shpresoj se dialogu ynë mund të përqendrohet gjithnjë e më shumë në mundësitë e investimeve dhe të eksporteve. Strategjia dhe politikat e mira i parandalojnë problemet. Me kalimin e kohës, ne do të bashkërendisim dialogun tonë në mënyrë që si qeveria ashtu edhe sektori privat të kenë qartësi se si të përmirësojnë mjedisin e biznesit.

Ky dialog pra, le të jetë dëshmi e besimit tonë të ndërsjelltë, por në të njëjtën kohë edhe mundësi për ta rritur këtë besim të ndërsjelltë.

Kam theksuar pra rëndësinë e besimit në Dialogun Publik Privat, potencialin për rritje dhe konkurrencë, rolin e zhvillimit të fuqisë punëtore, thirrjen për bizneset dhe donatorët për të bashkëpunuar me Qeverinë e Kosovës, me qëllimin tonë për të fokusuar dialogun tonë në mundësitë pro-aktive.

Kur punojmë së bashku, ne krijojmë një ekip të fuqishëm dhe nëse herë pas here mund të kemi opinione të ndryshme gjatë rrugës, këto duhet t’i shohim në funksion të rrugës dhe shpejtësisë në rritje gjatë ecjes sonë të përbashkët.

Sukseset tona nuk janë të ndara. Një qeveri e suksesshme e ndihmon sektorin privat të ekonomisë dhe anasjelltas dhe kësisoj e forcojmë shtetin tonë dhe qytetarin tonë duke lejuar të investojmë më pastaj më shumë në arsim, në shëndetësi, në mbrojtje, në shkencë e kulturë e në sektorët e tjerë të rëndësishëm.

E dimë që sektori privat dhe sektori publik janë sektore të ndara, mirëpo siç e thotë edhe etimologjia e fjalës ekonomi, ‘oikonomia’, prek greqishtes së lashtë, që do të thotë punët e shtëpisë, shtëpia është një, pra numri njëjës, ekonomi, shtëpi, që është e përbashkët për të gjithë neve.

Konkurrueshmëria jonë ekonomike do të sjellë prosperitet dhe mirëqenie për qytetarët tanë, duke e përmirësuar cilësinë e jetës së tyre dhe duke ndërtuar një të ardhme më të ndritshme për të gjithë, e kur themi të gjithë mendojmë brezin tonë dhe ata që vijnë pas nesh.

Faleminderit të gjithëve dhe le të kemi sot një takim produktiv, me diskutime të frytshme, ku mësojmë prej njëri-tjetrit që të punojmë bashkë!

Faleminderit.

Komento: