U prezantua si zyrtar i rrejshëm në Agjencinë Kosovare për Inteligjencë, arrestohet

16:24 | 11 Dhjetor 2018

Policia e Kosovës ka dhënë një lajm të mirë.

Policia e Kosovës, Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë (NHKEK), pas një pune hetimore në teren, duke realizuar dhe aplikuar masat e fshehta të përgjimit të telekomunikimeve, më 11.12.2018, bazuar në urdhëresën e Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka arritur të ndalojë të dyshuarin: E.J. viti i lindjes 1992.
I njëjti dyshohet se ka kryer veprat penale: ‘Prezantim i rremë si person zyrtar’, ‘Spiunazh’ dhe ‘Falsifikim i dokumenteve’, andaj i njëjti është shoqëruar në njësinë kompetente për procedura të mëtejme.

E.J dyshohet se ka përpiluar një dokument të rremë gjoja se është zyrtar në Agjencinë Kosovare për Inteligjencë (AKI) dhe atë dokument e ka përdorur në kohën kur është ndalur nga Policia e Kosovës gjatë kontrollit rutinë, duke i venë në lajthim nën arsyetimin se është me detyra apo punë konkrete nga AKI-ja.

Policia ka sekuestruar dokumentin e falsifikuar me të cilin ka vepruar dhe prezantuar në mënyrë të kundërligjshme apo të rreme.

Pas përfundimit të gjitha veprimeve paraprake hetimore sipas Policisë së Kosovës i dyshuari është intervistuar në cilësi të dyshuarit në prezencën e avokatit mbrojtës dhe me aktvendim mbi ndalimin nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, ai është dërguar në mbajtje prej 48 orëve.

Komento: