U raportua për dy kosovarë të vdekur në Gjermani, deklarohen nga MPJ

17:12 | 18 July 2021

U raportua për dy kosovarë të vdekur në Gjermani, deklarohen nga MPJ.

Gjatë ditës u raportua nga disa media në Kosovë dhe rajon se si pasojë e vërshimeve në Gjermani kanë vdekur një çift bashkëshortor nga Kosova.

Sipas raportimeve trupi i pajetë i burrit tanimë është identifikuar, ndërsa gruaja vazhdon të jetë nën gërmadha.

Nga këto raportime thuhet se ata janë me prejardhje nga Komuna e Pejës.

Ndërsa, për këto raportime janë deklaruar zyrtarë në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës.

Nga Divizioni për Komunikim me Publikun e MPJD-së kanë thënë se deri më tani nuk ka ndonjë konfirmim zyrtar nga autoritetet gjermane lidhur me këtë.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës thekson do të njoftojë lidhur me rastin në bazë të të dhënave zyrtare.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), është në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet gjermane përmes Ambasadës së Kosovës në Gjermani, dhe deri në këto momente ende nuk ka marrë konfirmim nga autoritetet përkatëse lidhur me dyshimet për humbjen e jetës së dy bashkatdhetarëve. MPJD do të ju njoftojë lidhur me situatën bazuar në të dhënat zyrtare”, thuhet për Klankosovën.

Mbi 150 persona kanë vdekur në Gjermani, në atë që është përshkruar si përmbytjet më të këqija në historinë e këtij shteti.

Përveç Gjermanisë më këtë situatë po përballën edhe Luksemburgu, Belgjika, Austria dhe Zvicra.

Komento: