U raportua se planifikohej vrasja e tij, flet Ismet Haxha: Veç Beogradi ka mujtë me qenë pas kësaj

14:57 | 19 Shtator 2022

Ish-ushtari i UÇK-së, Ismet Haxha ishte njeriu i tretë që planifikohej të vritej, – sipas një dokumenti i nxjerrë në publik nga hakerët që u raportua sot nga A2CNN, – së bashku me kryeministrin Albin Kurti, dhe deputetin e PDK-së, Xhavit Halitin.

Ismet Haxha, i cili pas luftës ka qenë dhe ish-anëtar i Shërbimit Informativ të Kosovës në një prononcim për Reporteri. net ka thënë se ka qenë i paralajmëruar nga policia për një atentat të mundshëm ndaj tij.

“Kaq di edhe unë, sa po dini ju, nuk di më shumë. Më kanë paralajmëruar policia që me pas kujdes, i kanë shtuar nivelin e vet të sigurisë, janë kujdesur më tepër”, tha fillimisht Haxha.

Ish-ushtari i UÇK-së, gjithashtu mendon se arsyeja e këtij atentati të mundshëm ndaj tij ka qenë pjesëmarrja në luftë, pasi sipas tij “kjo punë nuk vjen nga dikush tjetër, përveç nga shërbimet e Beogradit”.

“Mendimi jem është që kam qenë pjese e luftës, ku gjithashtu ka qenë edhe Xhavit Haliti. Nuk mendoj se kjo punë vjen nga dikush tjetër, përveç nga shërbimet e Beogradit. “Keq” i kemi bërë veç Serbisë se kemi luftuar kundër tyre”, tha Haxha.

Ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ismet Haxha ka thënë se ka qenë i paralajmëruar nga policia për një atentat të mundshëm ndaj tij, derisa thekson se i është kërkuar të ketë kujdes më të shtuar.

Sipas raportimit të A2CNN se në vitin 2021, Njësia Kundër Terrorizmit në Kosovë ka zbuluar një plan për të vrarë Kryeministrin Albin Kurti, deputetin e PDK’së Xhavit Haliti dhe Ismet Haxhën, ish-anëtar i Shërbimit Informativ të Kosovës.

Sipas A2CNN, Prek Kodra është i dyshuari për planifikim të atentateve ndaj kryeministrit Albin Kurti, deputetit të PDK-së, dhe ish-ushtarit të UÇK-së, Ismet Haxha.

Në dokument thuhet se i dyshuari është shqiptar i datëlindjes 01.05.1976, derisa theksohet se ai ka aftësi të mira në përdorimin e snajperëve dhe armëve të tjera. Ai dyshohet se është përfshirë në disa vrasje në Kosovë dhe Mal të Zi. Ndërkohë, Kodra dyshohet se jeton në Shkodër, ndërsa lëviz në Tropojë, Ferizaj dhe Deçan të Kosovës.

Komento: