U raportuar se 50 aktivistë kanë dhënë dorëheqje, vjen reagimi i Vetëvendosjes

17:58 | 21 February 2019

Gjatë ditës është raportuar se 50 aktivistë kanë dhënë dorëheqje nga Vetëvendosje.

Kryesia e Lëvizjes Vetëvendosje – dega në Mitrovicë ka reaguar në lidhje me raportimin se 50 aktivistë të kësaj parti kanë dhënë dorëheqje.

Gjatë ditës së sotme Hysni Hasani sipas pretendimeve të tij në cilësinë e kryetarit të Vetëvendosjes në pikën Kçiq i Madh ka konfirmuar dorëheqjen e shumicës dërrmues të aktivistëve. Por, ndryshe po thonë nga Vetëvendosje, të cilët përmes një reagimi zyrtar kanë thënë se Hysni Hasani është ish – aktivist dhe ish kryetar i pikës në Kçiq. Si rrjedhojë Vetëvendosje ka mohuar se 50 aktivistë kanë dhënë dorëheqje.

Përmes disa pikave kyçe ata kanë dhënë arsyet se dorëheqje të tilla nuk kanë ndodhur. Madje, se disa nga emrat e përmendur nuk kanë pjesë e Lëvizjes e disa ishin përjashtuar kohë më parë.

Reagimi i plotë i Vetëvendosje:

Kryesia e Lëvizjes VETËVENDOSJE! – Qendra në Mitrovicë priti me habi postimin e një ish aktivisti, ish kryetar i pikës sonë në Kçiq për “dorëheqjen” e 50 anëtarëve tonë në pikën Kçiq.

Dëshirojmë të sqarojmë disa fakte:

– Kryesia e pikës në Kçiq është në procedura disiplinore qysh nga muaji tetor i vitit 2018 për shkak të shkeljeve të shumta statutore dhe disa sjelljeve në kundërshtim me vlerat etike dhe morale.

– Në listën e publikuar ka emra që nuk janë fare në databazën e anëtarësisë tonë

– Disa nga emrat që janë në atë listë janë përjashtuar kohë më parë, dhe në rastin e tyre nuk ka sens dorëheqja

– Një pjesë e atyre që janë anëtarë, janë përfshirë në listë pa u pyetur fare për dhe menjëherë na kanë thirrur për të përgënjeshtruar dorëheqjen

– “Paria” e kësaj liste pa asnjë hezitim ka pranuar subvencionet nga Komuna e Mitrovicës dhe nuk paraqet asnjë fakt kur akuzon për nepotizëm dhe klane.

Dëshirojmë të theksojmë se pika në Kçiq ka shumë më shumë aktivistë se këta të “dorëhequrit” përfitues dhe se pika Kçiq është vetëm njëra nga shumë pikat në Qendrën tonë.
Kjo dorëheqje e sinkronizuar është tentim i përsëritjes së skenarit të janarit të vitit të kaluar, ku qëllimi i vetëm është dëmtimi i Lëvizjes VETËVENDOSJE! Mirëpo edhe këta do të përfundojnë njëjtë sikurse urdhërdhënësit e tyre.

Lëvizja VETËVENDOSJE! nuk është e interesuar të humbë asnjë aktivist, por ne nuk mund të pranojmë shantazhe prej askujt që i vendos interesat e ngushta personale para interesave qytetare e shtetërore.

Lëvizja VETËVENDOSJE!

Qendra Mitrovicë

Komento: