U suspendua nga BIK-u, Imami tregon si ndodhi ngjarja

21:19 | 06 April 2019

Flet imami që u suspendua nga BIK-u.

Imami i xhamisë në Vitomiricë të Pejës është suspenduar nga Bashkësia Islame e Kosovës.

Kjo për shkak se BIK-ut nuk i pëlqen mënyra e predikimit të fesë islame.

Ndërsa imami i suspenduar thotë se nuk bëhet fjalë për mënyrën e ligjërimit, por për arsyeje personale.

Hoxhë Drilon Gashin të premten do e zëvendësojë kryeimami i Pejës Enes Goga.

Kjo pasi Bashkësia Islame e Kosovës e suspendoi hoxhën e ri nga kryerja e punëve në xhaminë e Vitomiricës së Pejës me arsyetimin se po nxit urrejtje dhe përçarje mes besimtarëve myslimanë.

Gashi e konsideron të padrejtë këtë vendim ndërsa shprehet se asnjëherë nuk i kundërshtoi ligjet e zotit e as Kushtetutën e BIK-ut.

“Unë kam mëndu që këto mendimet e mia moderne iluministe, demokratike do t’i shërbejnë Bashkësisë sonë Islame. Jam akuzu pse kam dalë në media. Qëllimi është që me mi ndalë mediat edhe mos mem lanë me folë. Nuk e di pse unë mos me dalë e hoxhallarët e tjerë me dalë”, tha ai për Klan Kosovën.

Ky pretendon se situata erdhi deri në këtë pikë pasi kreu i BIK-ut në Pejë Enes Goga nuk e simpatizon.

Përkundrazi, thotë se pati presion të vazhdueshëm nga i njëjti prej se u punësua si Imam në xhaminë Nur.

Vetë Goga nuk pranoi të komentojë motivet e kësaj ngjarje.

Nga BIK-u në Pejë Gashi kishte marrë një varg vërejtjesh verbale e me shkrim për mënyrën e predikimit që sipas këtij institucioni bie ndesh me frymën e hoxhallarëve derisa u dërgua edhe para Komisionit Disiplinor Qendror.

Në vërejtje thuhej se ankesat vinin nga vetë xhemati prandaj edhe i ngritën padi.

Por këto që po thuhen po mohohen nga disa nga xhemati që u intervistuan nga Klan Kosova.

Bile ata kërkojnë anulimin e këtij vendimi përndryshe do të pasojnë protestat.

Në rast se Gashi largohet ata kërcënojnë me mos pagesë të obligimeve ndaj BIK’ut.

Në vendimin për suspendim Drilon Gashit i përmenden edhe deklarata të tjera ku akuzohet se ka bërë shaka edhe me mjekrën dhe mbulesën islamike dhe se e ka mohuar shejtanin.

Për të gjitha këto vetë Gashi ishte sqaruar duke shtuar se keqinterpretuar me qëllim dëmtimin e tij por ankesat i ishin refuzuar.

Komento: