U tha se Kurti kishte qëndruar në odën e plaҫkitësit, vjen më në fund reagimi i tij

20:28 | 27 December 2018

Rasti i sotëm tronditi vendin, ku humbën jetën dy persona, ndër ta një pjestar i Policisë së Kosovës.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka reaguar pas raportimeve në media se muaj më parë kishte mbajtur fjalim në kuadër të një tubimi të partisë në odën e plaҫkitësit të Istogut, Kamer Metaj.

Ai ka thënë se nuk e di nëse Kamer Metaj – i cili sot qëlloi oficerin e Policisë së Kosovës, Izet Demaj – ka qenë anëtar i partisë së tij.

“Në bazë të fotogragive, nuk e di, nuk më kujtohet. Është e mundhme që është anëtar i yni”, ka thënë Kurti në Rubikon të KTV’së.

“Është për të ardhur keq, lajm i tmerrshëm. Ka ndodhur çfarë ka ndodhur”, është shprehur ai.

“Istogu është vend i vogël. Kemi shumë anëtarë atje”, ka thënë Kurti më tej.

“Posa t’i kemi të dhënat zyrtare, mund ta dimë se për çfarë bëhet fjalë”, ka shtuar Kurti.

“Dëgjova se është përhapur një lajm se kam qenë në odën e personit që qëlloi policin. Kjo s’është e vërtetë”, ka deklaruar ai.

“Kam qenë në odën e Muharrem Metaj, që nga LDK ka kaluar në VV”, ka thënë ai.

“Mund ta ketë kushëri plaҫkitësin, por s’ka qenë oda e tij”, ka përfunduar Kurti.

Pasditen e së enjtes në Istog dy persona ishin nisur për një nga bankat në qendër të komunës, ku dyshohet se do të kryenin një grabitje. Aty u zunë në pritë nga pjesëtarë të Policisë së Kosovës, e pas një përleshje me mjet zjarri, pa shenja jete mbeti një nga të dyshuarit (Kamer Metaj), e pas tij në spital të Pejës ndërroi jetë edhe polici Izet Demaj.

Komento: